| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti takon në Mal të Zi komisaren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos
Kurti në takim theksoi se me institucione plotësisht funksionale Kosova do t'i përshpejtoj reformat.
Kurti takon në Mal të Zi komisaren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos
Kurti takon në Mal të Zi komisaren për Zgjerim të BE-së, Marta Kos

Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, në Shën Stefan të Malit të Zi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me komisaren për Zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti theksoi se me institucione plotësisht funksionale Kosova do t'i përshpejtoj reformat.

Kurti gjithashtu përmendi se javën e kaluar Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, si dhe shtoi se së shpejti fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë.

“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkret. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, tha Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti ka thënë se në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia.

Në kuadër të Samitit, kryeministri Kurti pritet të zhvillojë takime bilaterale me drejtues dhe përfaqësues institucionesh ndërkombëtare, sikurse me zyrtarë të lartë dhe krerë shtetesh.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë