| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
I dyshuari ukrainas arrestohet në Kroaci për shpërthimet në tubacionet e Rrjedhës Veriore
Prokurorët thanë se i dyshuari, një zhytës i trajnuar, ka vepruar së bashku me një grup personash për të shkatërruar tubacionet e gazit në Detin Baltik, të ndërtuara për të transportuar gazin natyror rus drejt Gjermanisë.
I dyshuari ukrainas arrestohet në Kroaci për shpërthimet në tubacionet e Rrjedhës Veriore
I dyshuari ukrainas arrestohet në Kroaci për shpërthimet në tubacionet e Rrjedhës Veriore/ AA

Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se një shtetas ukrainas është arrestuar në Kroaci në lidhje me sabotimin e tubacioneve të gazit të Rrjedhës Veriore në vitin 2022.

Prokuroria Federale Gjermane tha se i dyshuari u arrestua në qytetin bregdetar Pula, në bazë të një urdhërarresti evropian të lëshuar nga Gjermania. Ky është arrestimi i dytë i rëndësishëm në kuadër të hetimit në vazhdim.

Prokurorët thanë se Vladimir Z., një zhytës i trajnuar, ka vepruar së bashku me një grup personash për të shkatërruar tubacionet e gazit në Detin Baltik, të ndërtuara për të transportuar gazin natyror rus drejt Gjermanisë. Ai ndodhet në paraburgim në Kroaci në pritje të ekstradimit në Gjermani, ku do të dalë para një gjyqtari hetues.

Arrestimi përbën një zhvillim të rëndësishëm në hetimin e shpërthimeve nënujore të shtatorit 2022, të cilat dëmtuan tre nga katër tubacionet të Rrjedhës Veriore dhe praktikisht ndërprenë importet direkte të gazit rus në Gjermani.

Ky zhvillim vjen pas arrestimit në vitin 2025 në Itali të një tjetër të dyshuari kryesor, ish-ushtarakut ukrainas Serhii K., i cili më pas u ekstradua në Gjermani. Gjykimi i tij pritet të nisë këtë vjeshtë në Gjykatën e Lartë Rajonale të Hamburgut.

Hetuesit gjermanë pretendojnë se Serhii K., ish-operativ i shërbimit ukrainas të inteligjencës SBU, drejtonte një grup prej shtatë personash, të përbërë nga zhytës, ndihmës, një mjek dhe një kapiten.

Sipas hetuesve, grupi përdori dokumente të falsifikuara për të marrë me qira jahtin me vela Andromeda, i cili shërbeu si bazë lundruese për operacionin.

Qeveria ukrainase ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sabotim. Megjithatë, raportime mediatike kanë pretenduar se operacioni ishte mbikëqyrur nga ish-shefi i ushtrisë ukrainase, Valerii Zaluzhnyi, pa dijeninë e presidentit Volodymyr Zelenskyy.