Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, ka deklaruar se shumica e familjeve në Rripin e Gazës po përballen me mungesë të ujit të pastër, derisa sulmet e vazhdueshme dhe dëmtimi i infrastrukturës po thellojnë një krizë tashmë të rëndë humanitare.
“Sa i përket territorit të pushtuar palestinez, kolegët tanë humanitarë thonë se sulmet në të gjithë Rripin e Gazës vazhdojnë të godasin zonat e banuara dhe të ndërpresin shërbimet bazë”, u tha Dujarric gazetarëve.
Ai përmendi një sulm ajror të fundit në Qytetin Gaza që thuhet se goditi punonjës të një organizate joqeveritare pranë një pusi uji, duke vrarë një person dhe duke plagosur katër të tjerë, ndërsa objekti pësoi dëme të mëdha dhe u detyrua të ndërpresë aktivitetin.
“Pavarësisht kësaj, partnerët që punojnë në furnizimin me ujë thonë se prodhimi i përgjithshëm nuk ka rënë menjëherë dhe se po mbushin boshllëqet duke siguruar më shumë ujë të pastër përmes transportit me cisterna. Ata theksojnë se nevojat e njerëzve për ujë janë larg përmbushjes. Rreth 60 për qind e familjeve në Gaza nuk kanë qasje në ujin e pastër që u nevojitet për përdorim të përditshëm”, shtoi ai.
Dujarric tha se organizatat paralajmërojnë se masat aktuale të përkohshme janë të kushtueshme dhe të paqëndrueshme.
Ai tha se OKB-ja po vazhdon angazhimin me autoritetet për të lehtësuar hyrjen e materialeve thelbësore të nevojshme për të ruajtur prodhimin e ujit dhe shërbime të tjera jetike.
“Pa to, prodhimi i ujit dhe shërbimet e tjera janë në rrezik serioz kolapsi”, shtoi ai.
Një armëpushim u arrit pas dy vitesh lufte shkatërruese izraelite në Gaza që nisi në tetor të vitit 2023, duke lënë mbi 72 mijë palestinezë të vrarë dhe më shumë se 172 mijë të plagosur.
Gaza vazhdon të përballet me një krizë humanitare dhe shëndetësore të paprecedentë, me shkatërrim të gjerë të infrastrukturës, përfshirë spitalet dhe objektet shëndetësore.
Enklava palestine gjithashtu përballet me kufizime të rrepta izraelite për hyrjen e karburantit dhe furnizimeve mjekësore, si dhe me mungesa të theksuara të ilaçeve dhe pajisjeve.























