| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Anketë: Serbët në Kosovë me mosbesim të thellë ndaj politikanëve, Rusia e Kina shihen si mbështetëse
Hulumtimi i realizuar nga organizata joqeveritare serbe në Kosovë “Aktiv”, me më shumë se 500 respondentë, tregon se shumica e qytetarëve vlerësojnë se situata nuk po zhvillohet në drejtimin e duhur, duke shprehur një ndjenjë të theksuar pasigurie.
Anketë: Serbët në Kosovë me mosbesim të thellë ndaj politikanëve, Rusia e Kina shihen si mbështetëse
Anketë: Serbët në Kosovë me mosbesim të thellë ndaj politikanëve, Rusia e Kina shihen si mbështetëse / AA

Sipas hulumtimit “Analiza e trendeve 2025”, tek serbët në Kosovë vazhdon të dominojë një perceptim negativ për situatën politike, të sigurisë dhe atë socio-ekonomike për vendin.

Hulumtimi i realizuar nga organizata joqeveritare serbe në Kosovë “Aktiv”, me më shumë se 500 respondentë, tregon se shumica e qytetarëve vlerësojnë se situata nuk po zhvillohet në drejtimin e duhur, duke shprehur një ndjenjë të theksuar stagnimi dhe pasigurie.

Rezultatet  gjithashtu tregojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet veriut dhe komunave me shumicë serbe në jug të Ibrit. Në veri dominon një pesimizëm i theksuar, veçanërisht sa i përket sigurisë dhe situatës politike, ndërsa në jug të Ibrit qëndrimet janë më të nuancuara, me një pjesëmarrje më të madhe të vlerësimeve neutrale dhe të moderuara.

Si problemet kryesore veçohen siguria, paqëndrueshmëria politike, krimi dhe korrupsioni, si dhe pasiguria ekonomike dhe largimi i të rinjve. Një përqindje e madhe e qytetarëve vlerëson se situata ekonomike është përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar.

Besimi në institucione dhe aktorë politikë mbetet i ulët. Gati gjysma e të anketuarve deklaron se nuk i beson asnjë politikani, ndërsa besimi në institucione, si ato të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, është i kufizuar. Njëkohësisht vërehet edhe rënie e interesimit për zhvillimet politike, që tregon një apati në rritje tek qytetarët.

Sa i përket aktorëve ndërkombëtarë, një pjesë e të anketuarve e sheh Rusinë dhe Kinën si mbrojtësit kryesorë të interesave të komunitetit serb, ndërsa Bashkimi Evropian (BE) dhe ShBA-ja gëzojnë një nivel dukshëm më të ulët besimi.

Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbetet një nga çështjet më të polarizuara. Qëndrimet janë të ndara dhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh nuk pret që negociatat të sjellin përmirësime konkrete në jetën e përditshme.

“Aktiv” vlerësoi se këto gjetje tregojnë një krizë të thellë besimi dhe mungesë të një perspektive të qartë për përparim në komunitetin serb, gjë që “mund të ketë pasoja afatgjata për stabilitetin dhe marrëdhëniet shoqërore në Kosovë".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë