| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Fillon seminari "Zhvillime Inovative në Arsim" në Maqedoninë e Veriut
Është organizuar aktiviteti hapës i fazës së tretë dhe të fundit të programit seminarik "Zhvillime Inovative në Arsim", i dedikuar për mësimdhënësit turq në Maqedoninë e Veriut.
Fillon seminari "Zhvillime Inovative në Arsim" në Maqedoninë e Veriut
Fillon seminari "Zhvillime Inovative në Arsim" në Maqedoninë e Veriut

Është organizuar aktiviteti hapës i fazës së tretë dhe të fundit të programit seminarik "Zhvillime Inovative në Arsim", i dedikuar për mësimdhënësit turq në Maqedoninë e Veriut.

Programi u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe nën patronazhin e Zyrës së Këshilltarit për Arsim pranë Ambasadës së Türkiyes në Shkup, në bashkëpunim me Lidhjen e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB).

Në programin e mbajtur në Kampusin e Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Tetovë morën pjesë zëvendësshefi i Misionit dhe sekretari i parë i Ambasadës së Turqisë në Shkup, Anil Kayalar, këshilltari për Arsim i Türkiyes në Shkup, Ali Riza Altunel, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë së Veriut, Driton Sulejmani, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore në vend si dhe mësimdhënës.

Kayalar, në fjalën e tij, tha se Ballkani është një nga fokuset kryesore të politikës së jashtme turke.

Duke theksuar se turqit në Maqedoninë e Veriut janë elementi më i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Kayalar tha: "Bashkatdhetarët tanë përbëjnë një lidhje organike mes dy republikave. Ata përbëjnë një damar thelbësor dhe fisnik. Ata përbëjnë një urë të fortë".

Sulejmani, nga ana e tij, shprehu bindjen se një nga zhvillimet më të rëndësishme inovative është integrimi i teknologjive digjitale në procesin arsimor.

"Përdorimi i platformave interaktive, klasave virtuale si dhe aplikacioneve dhe mjeteve arsimore të bazuara në inteligjencën artificiale mundësojnë qasje më të mirë në dije dhe monitorim më efikas të përparimit të nxënësve", tha ai.

"Për komunitetin turk, arsimi në gjuhën amtare nuk është vetëm çështje arsimore"

Altunel tha se procesi kishte filluar vitin e kaluar. "Në aspektin e mësimit dhe transmetimit të njohurive të reja që sjellin teknologjitë në zhvillim, ne të gjithë duhet t'i hapim dyert ndaj këtyre risive dhe t'i mësojmë ato. Prandaj, mendoj se mund t'i mësojmë dhe t'ua transmetojmë nxënësve tanë", tha ai.

Përfaqësuesi i TMV-së në Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgul, tërhoqi vëmendjen se TMV-ja sot vepron në 64 vende me 525 institucione arsimore në gjashtë kontinente të botës.

"Veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, ne jemi të gatshëm të jemi stacioni më i sigurt në arsim për bashkatdhetarët tanë, për të afërmit tanë këtu, për qytetarët e këtij vendi dhe për të gjithë", u shpreh ai.

Kryetari i MATUSITEB-it, Tahsin Ibrahim tha se për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut arsimi në gjuhën amtare nuk është vetëm çështje arsimore. "Ai është garancia më e fuqishme për ruajtjen e gjuhës sonë, kulturës sonë, historisë sonë dhe identitetit tonë kombëtar. Forca më e madhe që e përcjell këtë amanet të shenjtë tek brezat e ardhshëm janë mësimdhënësit tanë të çmuar, të cilët kryejnë detyrën e tyre me sakrifica të mëdha", tha Ibrahim.

Trajnimet do të zgjasin tri ditë

Drejtori i përgjithshëm i Halkbank Shkup, Fatih Sahbaz tha se edukatorët që përqafojnë mendimin inovativ, përdorin në mënyrë efektive teknologjinë dhe synojnë zhvillimin e vazhdueshëm janë kapitali më i vlefshëm i shoqërive.

"Ne besojmë se investimi në arsim është investimi më i vlefshëm për të ardhmen. Me këtë qasje, veprojmë me vetëdijen se mbështetja për dijen, zhvillimin dhe burimet njerëzore është një nga elementet themelore të zhvillimit të qëndrueshëm në shoqëri", tha ai.

Zëvendësrektorja e Universitetit "Trakya", prof. dr. Eylem Bayir, bëri të ditur se trajnimet do të zgjasin tri ditë.

Ajo theksoi se arsimi është një nga urat më të rëndësishme që zhvillon miqësinë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet vendeve. "Për këtë arsye, çdo komunikim që do të krijohet këtu, çdo informacion dhe përvojë që do të ndahet, do të përbëjë themelet e palëkundura të bashkëpunimeve tona të ardhshme", tha Bayir.




BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë