Iraku po punon për zgjerimin e eksporteve të naftës përmes portit Ceyhan të Türkiyes dhe zhvillimin e rrugëve të eksportit përmes porteve Baniyas të Sirisë dhe Aqaba të Jordanisë, tha të premten kryeministri Ali al-Zaidi, sipas Agjencisë Irakiane të Lajmeve.
Duke folur në edicionin e tetë të konferencës Dialogu i Bagdadit, Zaidi tha se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit përbën një “sfidë të madhe” për Irakun dhe se qeveria po merr masa për të ruajtur stabilitetin ekonomik.
Zaidi tha se Bagdadi po punon gjithashtu për rritjen e kuotës së eksporteve të Irakut në kuadër të OPEC-ut dhe synon që brenda gjashtë vjetësh t’i rrisë eksportet e naftës në 8–10 milionë fuçi në ditë.
Lidhur me sigurinë e brendshme, kryeministri tha se të gjitha forcat politike pajtohen që armët të jenë vetëm nën kontrollin e shtetit dhe se po hartohen mekanizma për dorëzimin e tyre.
Ai tha se armët jashtë kontrollit shtetëror do të krijonin një mjedis që dekurajon investimet dhe, për këtë arsye, do të ishin kundër interesave të irakianëve.
Zaidi përjashtoi gjithashtu mundësinë e një përballjeje ushtarake, duke thënë se Bagdadi nuk do t’i lejojë armiqtë e Irakut të shfrytëzojnë asnjë mundësi.
Konferenca dyditore nisi të premten me pjesëmarrjen e zyrtarëve, figurave politike, diplomatëve dhe akademikëve. Ajo përqendrohet në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në sfidat politike, të sigurisë dhe ekonomike me të cilat përballet rajoni.


















