Ministri i Jashtëm i Kuvajtit, Jarrah Al-Ahmad Al-Sabah, do të vizitojë Türkiyen të hënën dhe do të takohet me homologun e tij turk Hakan Fidan për bisedime, sipas burimeve diplomatike turke.
Gjatë bisedimeve, Fidani pritet të diskutojë hapat për forcimin e mekanizmave të krijuar për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, thanë burimet.
Ai pritet gjithashtu të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit në fushat ushtarake, të mbrojtjes dhe ndërlidhshmërisë në dritën e zhvillimeve aktuale në rajon, si dhe të nënvizojë nevojën për veprim të përbashkët dhe rritje të përgjegjësisë rajonale përballë sfidave në rritje.
Fidani pritet të theksojë se Türkiye mbetet në kontakt të vazhdueshëm me palët për të mbështetur një rezultat pozitiv në negociatat mes ShBA-së dhe Iranit dhe për të ndihmuar në përfundimin e luftës sa më shpejt të jetë e mundur.
Ai gjithashtu pritet të vë në dukje se Kuvajti, një nga vendet e Gjirit më të goditura nga sulmet e Iranit, ka vepruar me përmbajtje, duke parandaluar përhapjen e luftës.
Fidani ka gjasa të ritheksojë rëndësinë e rikthimit të përhershëm të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe të theksojë se Izraeli vazhdon politika që përhapin paqëndrueshmëri dhe konflikt në rajon.
Po ashtu, ministri pritet të deklarojë se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu vazhdon të shkelë armëpushimin në Gaza dhe të kryejë veprime të paligjshme në Bregun Perëndimor, duke përshpejtuar hapat që minojnë zgjidhjen me dy shtete.
Ai pritet gjithashtu të bëjë thirrje për kalimin në fazën e dytë të një marrëveshjeje paqeje në Gaza dhe për përmirësimin e kushteve humanitare dhe standardeve të jetesës, si dhe të konsultohet për punën e Komitetit të Paqes, ku Türkiye dhe Kuvajti janë anëtarë themelues.
Fidani pritet të theksojë se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të lejojë Izraelin të zgjerojë pushtimin e tij në Liban apo të përkeqësojë më tej krizën humanitare atje.
Marrëdhëniet dypalëshe
Marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Kuvajtit vazhdojnë të forcohen në sektorë të ndryshëm, me koordinim të ngushtë për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Të dy vendet synojnë të rrisin vëllimin e tregtisë, i cili ka tejkaluar 1 miliard dollarë deri në fund të vitit 2025, në 5 miliardë dollarë.
Përfundimi i negociatave në vijim për një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Türkiyes dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit pritet të rrisë më tej tregtinë dypalëshe dhe investimet reciproke.

















