Liderë dhe institucione të larta të vendeve të Ballkanit e kanë uruar për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare kreun e partisë Tisza në Hungari, Peter Magyar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në “X”, tha se Kosova e mirëpret përkrahjen e qytetarëve hungarezë ndaj vlerave evropiane derisa ka shprehur vullnetin për bashkëpunim në të ardhmen.
“Urime Peter Magyar për fitoren në Hungari. Kosova e mirëpret mbështetjen e popullit hungarez për vlerat e Bashkimit Evropian dhe presim me padurim të bashkëpunojmë”, shkroi Kurti.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, njoftoi se zhvilloi bisedë telefonike pas fitores së Magyar duke e uruar atë për formim të shpejtë dhe të suksesshëm të qeverisë së re dhe suksese në punë.
“Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kroacisë dhe Hungarisë, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë evropian. Synimi ynë është të thellojmë dialogun politik Kroaci-Hungari, të zgjerojmë bashkëpunimin ekonomik dhe energjetik, si dhe të adresojmë çështjet e pazgjidhura në frymën e fqinjësisë së mirë dhe partneritetit”, shkroi Plenkoviq.
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se fitorja e Magyar "ndaj populizmit të krahut të djathtë" është një fitore e madhe për Evropën dhe të ardhmen e saj.
“Vetëm një BE më e lidhur dhe më efektive do të jetë në gjendje t'u përgjigjet sfidave jashtëzakonisht të rënda të kohërave që na presin. Urime Peter Magyar dhe falënderime të sinqerta të gjithë atyre që, në Hungarinë tonë fqinje dhe miqësore, kanë zgjedhur lidhjen mbi ndarjen dhe solidaritetin mbi sovranitetin”, shkroi Golob.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, uroi kreun e partisë Tiszapër fitoren e tij në zgjedhje, derisa shtoi se bashkëpunimi i Serbisë me Hungarinë do të vazhdojë të rritet.
“Jam i bindur se bashkëpunimi i fortë midis Hungarisë dhe Serbisë do të vazhdojë të rritet. Gjithashtu, i jam mirënjohës Viktor Orbanit që ndihmoi në mundësimin e marrëdhënieve të tilla”, shkroi Vuçiq.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në urimin e tij tha se pret me padurim që ta mirëpres Magyar në Mal të Zi këtë qershor për Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
“Hungaria ka qenë shumë gjatë mbështetëse e fortë e Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian”, shkroi Milatoviq.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës po ashtu uroi fitoren e partisë Tisza, duke thënë se pret një kapitull të ri të marrëdhënieve Bosnjë dhe Hercegovinë – Hungari.
“Ne presim me padurim një kapitull të ri në marrëdhëniet Bosnjë dhe Hercegovinë-Hungari, bazuar në respekt të ndërsjellë, partneritet të vërtetë dhe vlera të përbashkëta evropiane.
Shpresojmë që ky rezultat do të hapë rrugën për një angazhim më të sinqertë, të ekuilibruar dhe konstruktiv, në dobi të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane”, shkroi ministria e jashtme boshnjake.
Partia opozitare Tisza në Hungari fitoi zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe është projektuar të marrë 2/3 e ulëseve në Parlamentin e Hungarisë të përbërë nga 199 deputetë. Viktor Orban ka pranuar humbjen në zgjedhjet në Hungari, duke i dhënë fund pushtetit të tij 16-vjeçar.




















