Kryetari i deritanishëm i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kreut të kësaj partie, raporton Anadolu.
Hamza në një konferencë për mediat bëri të ditur se për këtë vendim ka njoftuar edhe kryesinë e PDK-së duke thënë se „njerëzit duhet të dinë se kur është përgjegjësia për të marrë nën udhëheqje diçka dhe se kur është koha për t’u larguar”.
Hamza ka thënë se ky është një vendim i menduar, i marrë me përgjegjësi dhe me bindje se PDK-ja do të hyjë në një proces të ri ku anëtarësia do të ketë fjalën e saj dhe ku të rinjve do t’u krijohet hapësira e merituar për të kontribuar.
Hamza theksoi se përgjegjësitë që ka marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj PDK-së dhe Kosovës dhe jo nga ambiciet personale.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh ai.
Hamza ka thënë se ka pasur pritje që pas 16 shtatorit kryesimin e partisë do t’ua kthente ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që janë në Hagë, por Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi u dënuan me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.
Për këtë proces, Hamza ka shtuar se do të vazhdojnë përpjekjet për drejtësi.
Hamza u zgjodh kryetar i PDK-së gjatë Konventës së mbajtur të kësaj partie më 17 nëntor të vitit 2025, si pasues i ish-kryetarit Memli Krasniqi.





















