Në kuadër të Dialogut Strategjik me ShBA-në në Uashington, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, udhëhoqi seancën e parë të bisedimeve kushtuar çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë. Ai ka theksuar se partneriteti afatgjatë mes dy vendeve aleate po forcon kapacitetet mbrojtëse, paqen dhe sigurinë.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes, Misajllovski, para përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit ka vlerësuar se bashkëpunimi është në nivel jashtëzakonisht të lartë. Ai ka shtuar se ekziston potencial i madh për një bashkëpunim edhe më të fortë dhe më gjithëpërfshirës në të ardhmen.
Ministri ka shprehur mirënjohje për mbështetjen amerikane, duke e cilësuar këtë partneritet si faktor kyç për transformimin dhe modernizimin e ushtrisë.
“Mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë, përmes aktiviteteve të përbashkëta shtesë, mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të sigurisë, përputhshmërinë me standardet e NATO-s dhe përmbushjen e objektivave të aftësive të NATO-s”, ka thënë ai.
Sipas tij, gjatë 30 viteve të fundit, përmes programeve amerikane të sigurisë, janë zbatuar rreth 70 projekte prokurimi për nevojat e Armatës, ndërsa gjithashtu janë realizuar aktivitete të shumta stërvitore, trajnime dhe edukim për personelin e mbrojtjes.
Misajllovski ka informuar se aktualisht janë në proces 16 marrëveshje furnizimi me ShBA-në për pajisje të ndryshme mbrojtëse. Po ashtu, siç ka thënë ai, po shqyrtohen mundësi të reja për zhvillimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit sipas planeve strategjike afatgjata.
Lidhur me buxhetin, ai ka prezantuar planet për rritje dhe modernizim gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Synimi është arritja e objektivave të Samitit të Hagës, që parashohin investime deri në 3,5 për qind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035.
Në kuadër të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, fokusi i të cilit është thellimi i partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit afatgjatë në nivel të lartë, delegacioni qeveritar do të zhvillojë disa takime me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, ku, përveç diskutimeve mbi mbrojtjen dhe sigurinë, do të diskutohet edhe bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik.























