| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ministri Hoxha takon ambasadorin turk: Rikonfirmuam partneritetin strategjik Shqipëri-Türkiye
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha tha se diskutimet me ambasadorin e Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, u përqendruan në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Hoxha takon ambasadorin turk: Rikonfirmuam partneritetin strategjik Shqipëri-Türkiye
Ministri Hoxha takon ambasadorin turk: Rikonfirmuam partneritetin strategjik Shqipëri-Türkiye / User Upload

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka zhvilluar një takim me ambasadorin e ri të Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, me fokus diskutimet mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se diskutimet me ambasadorin turk u përqendruan në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

"Rikonfirmuam partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e shkëlqyera e të konsoliduara ndër vite ndërmjet Shqipërisë dhe Türkiyes, të bazuara në respekt të ndërsjellë, besim dhe bashkëpunim të ngushtë, si dhe në lidhjet tona të përbashkëta historike e kulturore dhe interesat e përputhura si aleatë në NATO", është shpreh Hoxha.

Kryediplomati i Shqipërisë ka shtuar se theksuan rëndësinë e përpjekjeve të qëndrueshme dhe të koordinuara për të promovuar stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

"Diskutimet tona u përqendruan në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh për të shfrytëzuar potencialet ende të pashfrytëzuara në sektorë kyç, përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen, infrastrukturën, turizmin, arsimin dhe zhvillimin ekonomik. Gjithashtu, shqyrtuam mënyrat për zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, duke u mbështetur në praninë e fortë dhe dinamike të bizneseve turke në Shqipëri", ka theksuar Hoxha.

Ai shtoi se pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtë me ambasadorin Erciyes "për të thelluar më tej partneritetin tonë dhe për të çuar përpara prioritetet tona të përbashkëta".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë