| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Holanda shpall zyrtarisht mungesë uji për shkak të thatësirës së vazhdueshme
Qeveria rrit nivelin e reagimit ndaj thatësirës, ndërsa menaxherët e ujërave fillojnë t'i japin përparësi shpërndarjes së ujit të disponueshëm.
Holanda shpall zyrtarisht mungesë uji për shkak të thatësirës së vazhdueshme
Holanda shpall zyrtarisht mungesë uji për shkak të thatësirës së vazhdueshme/ AA

Holanda shpalli zyrtarisht mungesë uji pas javësh me thatësirë të vazhdueshme, duke bërë që autoritetet ta rrisin nivelin kombëtar të reagimit ndaj thatësirës, raportoi transmetuesi publik holandez NOS.

Ministria e Infrastrukturës dhe e Menaxhimit të Ujërave e ngriti nivelin e reagimit në Nivelin 2, pas rekomandimit të Komitetit Kombëtar të Koordinimit për Shpërndarjen e Ujit, pasi mungesa e ujit pritet të vazhdojë edhe në javët e ardhshme.

Sipas masave, përparësi do t'i jepet mbrojtjes së digave kundër përmbytjeve dhe digave të ndjeshme ndaj thatësirës, pasuar nga furnizimi me ujë të pijshëm dhe prodhimi i energjisë.

Autoritetet rajonale, sipas raportimeve, do të vendosin nëse nevojiten kufizime shtesë, ndërsa Limburgu tashmë ka kufizuar përdorimin e ujërave sipërfaqësore për qëllime që përfshijnë ujitjen e tokave bujqësore.

Rijkswaterstaat, agjencia ekzekutive e Ministrisë holandeze të Infrastrukturës dhe të Menaxhimit të Ujërave, tha se nuk ka rrezik për furnizimin publik me ujë të pijshëm, por u bëri thirrje qytetarëve ta përdorin ujin me përgjegjësi gjatë periudhës së thatë.

Prurja e lumenjve në Holandë ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1976 në Lobith.

Komiteti Kombëtar i Koordinimit për Shpërndarjen e Ujit tha se mungesa aktuale e ujit është më e rëndë se zakonisht dhe paralajmëroi se rreziku nga thatësira është rritur gjatë dekadave të fundit për shkak të ndryshimeve klimatike.

Hera e fundit kur Holanda e ngriti nivelin e reagimit ndaj thatësirës në Nivelin 2 ishte në gusht të vitit 2022. Niveli më i lartë i alarmit, Niveli 3, u shpall për herë të fundit në vitin 2003.