| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti: Marrja nën kontroll e urës së Ibrit po koordinohet me KFOR-in
Kurti tha se pasditen e sotme do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, për të diskutuar edhe çështjen e hapjes së urës së Ibrit.
Kurti: Marrja nën kontroll e urës së Ibrit po koordinohet me KFOR-in
Kurti: Marrja nën kontroll e urës së Ibrit po koordinohet me KFOR-in / َAA

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke folur për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për automjete, ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me Misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR).

Në një konferencë për media, ku u prezantua një projekt për banimin social, Kurti tha se pasditen e sotme do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, për të diskutuar edhe çështjen e hapjes së urës së Ibrit.

“Për marrjen nën kontroll të urës, jemi në komunikim me KFOR-in. Sot pasdite kam edhe një takim me Ulutas në kryeministri. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme”, tha Kurti.

Ai shtoi se pas ndërtimit të urave të reja, është e pakuptimtë që Ura e Ibrit të vazhdojë të mbahet e mbyllur.

"Pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as tensioneve, tregon se qarkullimi i njerëzve dhe mallrave është i dobishëm jo vetëm për ekonominë, por edhe paqen dhe sigurinë", theksoi Kurti.

Ndërkaq, KFOR-i ka bërë të ditur se ka filluar tërheqjen graduale të pranisë mbi urën e Ibrit në Mitrovicë. Sipas KFOR-it, një gjë e tillë po bëhet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë