Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë që në rendin e ditës janë disa interpelanca.
Interpelanca me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, në lidhje me çështjet e emigracionit ilegal, trafikut të qenieve njerëzore dhe kontrolleve kufitare në Shqipëri, është shtyrë për në seancën e radhës.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në hapje të seancës plenare sot njoftoi se, për shkak të angazhimeve shtetërore të ministrit Lamallari, interpelanca do të shtyhet për në seancën e radhës.
Interpelanca në Kuvend ishte kërkuar nga disa deputetë të partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD).
Sipas PD-së, interpelanca është kërkuar lidhur me “situatën alarmante të emigracionit ilegal, trafikut të qenieve njerëzore dhe dobësimit të kontrollit kufitar në Republikën e Shqipërisë”.
Në seancën e sotme ishin kërkuar edhe interpelanca me kryeministrin Edi Rama për çështje të ndryshme, të cilat janë shtyrë.
Në rendin e ditës të seancës së sotme parlamentare janë edhe disa interpelanca të tjera me ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë për çështje të ndryshme.



















