| Albanian
BOTA
4 minuta leximi
Bota reagon ashpër ndaj Izraelit për trajtimin “çnjerëzor” të aktivistëve të flotiljes për Gazën
Spanja, Italia, Franca, Belgjika, Holanda, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera evropiane kanë dënuar dhe kanë thirrur diplomatët izraelitë për trajtimin e “papranueshëm” të aktivistëve të arrestuar të Flotiljes “Sumud”.
Bota reagon ashpër ndaj Izraelit për trajtimin “çnjerëzor” të aktivistëve të flotiljes për Gazën
Bota reagon ashpër ndaj Izraelit për trajtimin “çnjerëzor” të aktivistëve të flotiljes për Gazën / AA

Disa shtete nëpër botë dhe deputetë dënuan të mërkurën trajtimin e aktivistëve të ndaluar në flotiljen humanitare “Sumud”, e cila po udhëtonte drejt Gazës.

Reagimet erdhën pasi partneri i koalicionit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, publikoi pamje ku aktivistët e arrestuar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare shfaqeshin me duar të lidhura dhe të detyruar të gjunjëzoheshin.

Franca thirri ambasadorin izraelit për të shprehur “indinjatë”, ndërsa ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot i cilësoi veprimet e Ben-Gvirit si “të papranueshme” dhe e kërkoi lirimin “sa më shpejt të jetë e mundur” të shtetasve francezë.

“Veprimet e zotit Ben-Gvir ndaj pasagjerëve të flotiljes ‘Sumud’, të dënuara edhe nga kolegët e tij në qeverinë izraelite, janë të papranueshme”, shkroi Barrot në X.

Ai tha se Parisi kishte shprehur vazhdimisht kundërshtimin ndaj iniciativës së flotiljes, por theksoi se shtetasit francezë “duhet të trajtohen me respekt dhe të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur”.

Edhe Spanja thirri të ngarkuarin me punë të Izraelit pasi ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares dënoi trajtimin “monstruoz”, “çnjerëzor” dhe “të turpshëm” ndaj aktivistëve në flotilje.

Italia njoftoi se do ta thërrasë ambasadorin izraelit pasi kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani dënuan trajtimin “e papranueshëm”.

“Pamjet e ministrit izraelit Ben Gvir janë të papranueshme. Është e papranueshme që këta protestues, përfshirë shumë shtetas italianë, t’i nënshtrohen një trajtimi që e cenon dinjitetin e tyre njerëzor”, thuhej në deklaratë.

Qeveria italiane tha se po ndërmerr hapa të menjëhershëm “në nivelet më të larta institucionale” për ta siguruar lirimin e italianëve të përfshirë në incident dhe kërkoi sqarim formal dhe kërkimfalje nga Izraeli.

Sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper, deklaroi se ishte “thellësisht e tronditur” nga pamjet, duke thënë se ato shkelin “standardet më bazike të respektit dhe dinjitetit”.

Belgjika gjithashtu thirri ambasadorin izraelit, ndërsa ministri i Jashtëm Maxime Prevot e cilësoi trajtimin e aktivistëve si “thellësisht shqetësues” dhe “të papranueshëm”.

Ministri i Jashtëm holandez Tom Berendsen dënoi pamjet “tronditëse dhe të papranueshme”, duke thënë se trajtimi i të ndaluarve “shkel dinjitetin bazë njerëzor”.

Kryeministri irlandez Micheal Martin e quajti sjelljen “tronditëse” dhe tha se ajo përbën “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa zëvendëskryeministrja sllovene Tanja Fajon e cilësoi trajtimin e aktivistëve si “tronditës dhe plotësisht të papranueshëm”.

Edhe Greqia dënoi trajtimin e aktivistëve, me Ministrinë e Jashtme që e cilësoi sjelljen e Ben-Gvirit “të papranueshme dhe absolutisht të dënueshme”.

Mbretëria e Bashkuar ka kritikuar gjithashtu Izraelin pas publikimit të videos ku shihen aktivistët e flotiljes për Gazën të trajtohen në mënyrë të papërshtatshme.

“Kemi kërkuar shpjegime nga autoritetet izraelite dhe kemi bërë të qartë detyrimet e tyre për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve tanë dhe të gjithë të përfshirëve”, tha sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper.

Polonia dhe Portugalia gjithashtu shprehën shqetësim për incidentin dhe kërkuan shpjegime nga Izraeli, duke e theksuar nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe dinjitetit njerëzor.

Flotilja Globale “Sumud” njoftoi të martën se të gjitha 50 anijet e konvojit të saj humanitar janë sekuestruar nga Izraeli. Konvoji transportonte 428 persona nga 44 vende pas nisjes nga Marmaris, në përpjekje për ta thyer bllokadën izraelite ndaj Gazës të vendosur që nga viti 2007.

Deputetët evropianë kërkojnë sanksione

Disa ligjvënës dhe figura politike evropiane dënuan gjithashtu veprimet e Izraelit dhe kërkuan sanksione si dhe lirimin e të ndaluarve.

Nënkryetari i grupit “The Left” në Parlamentin Evropian, Kostas Arvanitis, dënoi atë që e quajti “pirateri” ndaj flotiljes dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë të ndaluarve, përfshirë 19 shtetas grekë.

Ambasadori gjerman në Izrael, Steffen Seibert, e cilësoi trajtimin e të ndaluarve nga Ben-Gvir si “plotësisht të papranueshëm dhe të papajtueshëm me vlerat bazë të vendeve tona”.

Lideri i opozitës italiane dhe ish-kryeministri Giuseppe Conte akuzoi Ben-Gvirin për poshtërimin e aktivistëve pas një “arrestimi të paligjshëm” në ujërat ndërkombëtare dhe kërkoi sanksione ndaj qeverisë izraelite.

Senatori italian Matteo Renzi e quajti Ben-Gvirin “kriminel politik” dhe i kërkoi qeverisë italiane të veprojë “konkretisht, jo me deklarata të kota”.

Ligjvënësi irlandez Paul Murphy publikoi pamje që tregonin shtetasen irlandeze Caitriona Graham në paraburgim, duke akuzuar Izraelin për rrëmbim të aktivistëve në ujërat ndërkombëtare dhe ekspozimin e tyre ndaj “poshtërimit, dhunës dhe agresionit”.

Eurodeputetja franceze Manon Aubry kërkoi sanksione të menjëhershme ndaj qeverisë izraelite, ndërsa lideri i Partisë Socialiste Olivier Faure tha se Izraeli “duhet të japë shpjegime, ta shkarkojë Ben Gvirin dhe t’i kërkojë falje botës”.

Ligjvënësja franceze Gabrielle Cathala tha se Ben-Gvir “duhet të arrestohet”, ndërsa deputeti Thomas Portes akuzoi Izraelin për përdorim të “metodave terroriste”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë