OKB-ja do të vërë në dispozicion deri në 60 milionë dollarë fonde emergjente për të luftuar shpërthimin në rritje të Ebolës në Afrikën Qendrore, njoftoi të premten shefi i ndihmës humanitare i organizatës, Tom Fletcher.
“Duhet të veprojmë përpara se ky shpërthim i Ebolës të përhapet më tej. Sot po ndaj deri në 60 milionë dollarë nga Fondi Qendror i Emergjencave i Kombeve të Bashkuara për të përshpejtuar reagimin në Republikën Demokratike të Kongos dhe në rajonin më të gjerë”, tha Fletcher në një deklaratë.
Ai theksoi se përgjigjja humanitare po udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Konteksti epidemiologjik është sfidues: ende nuk ka vaksina apo trajtime të licencuara për variantin Bundibugyo”, shtoi ai.
Shpërthimi aktual i Ebolës shkaktohet nga varianti Bundibugyo, ndryshe nga shumë epidemi të mëparshme që lidhen me variantin Zaire. Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara për këtë variant.
Fletcher paralajmëroi se epidemia po zhvillohet në disa nga mjediset humanitare “më të vështira” në botë, ku konfliktet e armatosura dhe lëvizjet masive të civilëve po vështirësojnë përpjekjet për frenimin e saj. Agjencitë humanitare po kërkojnë qasje të sigurt në komunitetet e prekura, përfshirë zonat e kontrolluara nga grupe të armatosura.
“Po zbatojmë mësimet e nxjerra nga shpërthimet e mëparshme. Frenimi i epidemisë varet nga veprimi i shpejtë dhe i koordinuar në nivel komuniteti. Na duhet komunikim i fortë me qeveritë dhe sisteme efektive të paralajmërimit dhe zbulimit të hershëm në vendet e prekura”, tha ai.
Ndërkaq, Ghebreyesus e përshkroi të premten shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos si “thellësisht shqetësues”, duke paralajmëruar se përmasat e epidemisë mund të jenë shumë më të mëdha sesa sugjerojnë shifrat e konfirmuara aktualisht.























