Fadeela* shikoi me tmerr ndërsa numri në kutinë e kaltër që e përfaqësonte partinë britanike të së djathtës ekstremiste, "Reform", vazhdonte të rritej në ekranin e televizorit të saj. Ajo kontrolloi kush kishte fituar në zonën e saj, në periferinë e Londrës Veriore, Whetstone: një këshilltar Konservator dhe një këshilltar Laburist.
Deri në kohën kur rezultatet u finalizuan në maj, "Reform" kishte fituar kontrollin e 14 këshilleve, me 1.454 këshilltarë të kësaj partie që tani mbajnë pozita pushteti në autoritetet lokale, më shumë se çdo parti tjetër politike. Ata ishin fituesit e pamohueshëm të zgjedhjeve lokale të majit në Mbretërinë e Bashkuar.
Për vite me radhë, ideja se kjo parti populiste e së djathtës ekstremiste, e krijuar në vitin 2018 nga ish-lideri i UKIP-it, Nigel Farage - një njeri i njohur për hipernacionalizmin e tij - mund të fitonte një zgjedhje, dukej e pabesueshme. Por, rezultatet e majit ishin prova konkrete se sondazhet e opinionit ishin të sakta. Për dy vitet e fundit, "Reform" ka fituar popullaritet në mënyrë të qëndrueshme; sipas sondazheve të YouGov, nëse Britania do të mbante Zgjedhje të Përgjithshme tani, "Reform" do të fitonte.
Ish-Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Mysliman të Britanisë dhe konsulentja për diversitet dhe përfshirje, Zara Mohammed, thotë për TRT World se rezultatet janë një kujtesë e ashpër e asaj që mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. "Kjo flet vërtet për ndjenjën se sa të ngopur janë njerëzit, por edhe sa plotësisht përçarëse është politika jonë”, thotë ajo. "Reform ka bërë aq shumë fitore sa që e ardhmja ka ndryshuar, na pëlqen apo jo".
Me politikat e propozuara nga "Reform", duke përfshirë heqjen e lejes së qëndrimit të pakufizuar, shfuqizimin e Aktit të Barazisë 2010 (një legjislacion i krijuar për t’i mbrojtur njerëzit nga të gjitha format e diskriminimit) dhe kufizimin e imigracionit, njerëz si Fadeela janë të shqetësuar për atë se çfarë mund të thotë kjo për statusin e tyre të qëndrimit.
38-vjeçarja franko-tuniziane, nënë që punon në botime, ka leje qëndrimi të pakufizuar në vend. Bashkëshorti dhe tre fëmijët e saj janë britanikë; megjithatë, kjo nuk ia ka dhënë automatikisht të drejtën për shtetësinë britanike. Suksesi i fundit i "Reform" në zgjedhjet lokale e ka bërë atë të shqetësohet se nëse ata fitojnë Zgjedhjet e Përgjithshme të ardhshme, të planifikuara për vitin 2029, dhe e realizojnë planin e tyre për t'i dhënë fund lejes së pakufizuar të qëndrimit, ajo mund të gjendet e ndarë me forcë nga familja e saj.
"E kisha shtyrë aplikimin për shtetësinë britanike sepse është një proces i kushtueshëm”, thotë ajo për TRT World. "Por, rritja e Reform ka qenë një motivues për ta kryer atë. Kam parë raste ku njerëzit që nuk kanë pasaportë të MB-së nuk kanë mundur të rihyjnë në vend. Ndiej se kjo mund të përforcohet me ardhjen e partisë Reform në pushtet".
Shtrirja e racizmit
Nuk janë vetëm emigrantët myslimanë ata që ndiejnë, pas zgjedhjeve lokale, se e ardhmja e tyre në Britani është e pasigurt. Myslimanët britanikë janë thellësisht të shqetësuar se një qeveri e "Reform" do të mundësonte ndjenja antimyslimane.
Kjo u bë e dukshme së fundmi në tubimin "Unite the Kingdom" në Londër më 16 maj, të organizuar nga figura e njohur anti-islame dhe e së djathtës ekstremiste, Tommy Robinson. Një sondazh i fundit i POLITICO zbuloi se një në tre votues të "Reform" kishte pikëpamje pozitive për Robinsonin, duke treguar një lidhje midis racizmit, Islamofobisë dhe partisë "Reform".
Ky racizëm dhe kjo islamofobi shtrihen nga votuesit e "Reform" deri në nivelet më të larta të politikanëve të partisë. Lideri i "Reform", Farage, është vënë në shënjestër disa herë për deklarata islamofobike.
Në intervistën e tij të parë zgjedhore në vitin 2024 me Sky News, ai pretendoi se 46 për qind e myslimanëve britanikë mbështesin Hamasin dhe nuk ndajnë vlerat britanike, dhe së fundmi në mars, Farage e quajti një ngjarje publike të Ramazanit në qendër të Londrës, një "përpjekje të qëllimshme dhe të vullnetshme... për të parakaluar, frikësuar dhe dominuar mënyrën tonë të jetesës" dhe se do të dëshironte t'i shihte ngjarje të tilla të ndaluara në të ardhmen.
"Ndërsa Reform do të thotë, 'Ne nuk jemi racistë,' retorika që ata po ushqejnë është ajo që nxit atë lloj armiqësie në rrugë”, thotë për TRT World Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Mysliman të Britanisë, Naomi Green. "Numri i raporteve që po dëgjoj nga myslimanët që thjesht ecin në rrugë dhe u thuhen gjëra sepse mbajnë hixhab ose kanë mjekër, nuk ka qenë kurrë kështu më parë".
Ky diskurs antimysliman depërton deri në nivelin e këshilltarëve - të njëjtët këshilltarë të zgjedhur në zgjedhjet e muajit të kaluar, të cilët tani kanë pushtet në autoritetet lokale.
Një numër postimesh raciste dhe islamofobike u gjetën kohët e fundit në llogaritë e mediave sociale të Brett Muscroft, tani këshilltar i "Reform" në rrethin Wakefield të Castleford dhe Glasshoughton, së bashku me mbështetjen e hapur për Tommy Robinson. Në maj, zëvedëslideri i "Reform", Richard Tice, refuzoi t’i dënonte komentet e këshilltarit të partisë "Reform", Glebb Gibbins, i cili në vitin 2024 postoi se nigerianët duhet të shkrihen dhe të përdoren për t’i mbushur gropat e rrugëve. Gibbins që atëherë është pezulluar.
Këshilltarë të tjerë të sapozgjedhur të "Reform" janë pezulluar gjithashtu ose kanë dhënë dorëheqjen për komente të ngjashme. Stuart Prior, i cili dha dorëheqjen disa ditë pas zgjedhjes, thuhet se i kishte quajtur myslimanët 'paprastëti' (dirt) dhe, në një postim tjetër, shkroi: "Nuk mund të ketë gjenocid kundër myslimanëve. Është gjithmonë vetëm vetëmbrojtje kundër atyre minjve". Njohuria se disa nga këshilltarët e tyre të zgjedhur mbajnë pikëpamje të tilla urrejtjeje i lë shumë myslimanë në Britani në ankth.
"Shumë myslimanë duhet t’i përdorin autoritetet lokale për shkak të besimit tonë, për varrime, leje planifikimi dhe shërbime lokale për qendrat komunitare të xhamive”, thotë Mohammed për TRT World. "Pra, ka shumë angazhim midis autoriteteve lokale dhe komuniteteve myslimane. Myslimanët do të jenë të shqetësuar se si do ta navigojnë këtë. Ideja se ata [Reform] kanë aq shumë përfaqësim në këshilla, mendoj se myslimanët janë absolutisht të tmerruar nga ideja se mund të ketë një qeveri të Reform". "Reform" nuk iu përgjigj kërkesave të TRT World për koment.
Shqetësime për familjen
Familja e Siddique Patel ka jetuar në Dewsbury për breza të tërë. Avokati i familjes e ndjek me vëmendje politikën lokale dhe kombëtare. Ndërsa kandidatët e pavarur fituan në zonën e tij në Dewsbury West, në anën tjetër të qytetit në Dewsbury East, "Reform" fitoi, duke e pasqyruar politikën gjithnjë e më të polarizuar në qytetin e Yorkshire-it Perëndimor. Verën e kaluar, Dewsbury East ishte vendi i një përpjekjeje të madhe komunitare për ngritjen e flamujve të Shën Gjergjit në shtyllat publike të ndriçimit si pjesë e lëvizjes së djathtë ekstremiste "Operation Raise the Colours".
"Unë shqetësohem për të ardhmen e fëmijëve të mi”, thotë Patel. "Dua që fëmijët e mi të rriten në një vend ku ndihen të sigurt dhe ndihen pjesë e vendit. Ata janë myslimanë britanikë; kanë lindur në këtë vend. Ne jemi brezi i katërt i myslimanëve, kështu që jemi të etabluar këtu".
Patel thotë se kur udhëheqësit politikë normalizojnë retorikën islamofobike, kjo dërgon një sinjal se sjellja e tillë është e pranueshme, duke lejuar që urrejtja dhe ndarja të përhapet më lehtë në shoqëri. Ai shton se gjuha e përdorur nga shumë këshilltarë të "Reform" rrezikon të krijojë një mjedis ku familjet myslimane, përfshirë fëmijët e tij, nuk ndihen më të sigurt.
Ndërsa Patel shqetësohet se çfarë do të thotë një Britani e kontrolluar nga "Reform" për fëmijët e tij, ai është i vendosur se Britania është shtëpia e tyre dhe se ai nuk po shkon asgjëkund. "Ky është vendi ynë dhe ne kemi kontribuar në të," thotë ai. "Ne duam që ky vend të ecë mirë dhe duam t'u tregojmë njerëzve bukurinë e besimit tonë përmes veprimeve tona. Megjithatë, për myslimanët e tjerë britanikë, ndërsa mundësia që Reform të bëhet qeveria e ardhshme bëhet reale, lëvizja në një vend tjetër ose bërja hixhret (emigrim) në Türkiye, Malajzi ose në Gjirin Persik është tani në plan".
Terapistja okupacionale Amina Tracy Siddall, e cila jeton në një fshat në qytetin verilindor të Durhamit ku fitoi "Reform", e përsërit këtë. "Unë do të isha këtu derisa të mund të lëvizja në një vend tjetër mysliman," thotë ajo për TRT World. "Përndryshe, nuk mendoj se mund të zhvendosesha diku tjetër në Angli që do të ishte më mirë".
Fadeela dhe bashkëshorti i saj po i mbajnë opsionet e tyre të hapura. "Ne jemi 100 për qind duke menduar për planin tonë të daljes," thotë ajo për TRT World. "Ne po mendojmë të lëvizim në vende të tjera ku ka më pak urrejtje ndaj myslimanëve. Mund të jetë një vend tjetër evropian, një vend në Afrikën e Veriut ose diku si Singapori".



















