| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye dhe Franca nënshkruajnë udhërrëfyes për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes
Marrëveshja synon të zhvillojë më tej bashkëpunimin dypalësh në mbrojtje dhe të forcojë dialogun strategjik, thotë Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare.
Türkiye dhe Franca nënshkruajnë udhërrëfyes për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes
Türkiye dhe Franca nënshkruajnë udhërrëfyes për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes / َAA

Türkiye dhe Franca nënshkruan një udhërrëfyes për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, në kuadër të aktiviteteve të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, njoftoi të shtunën Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare.

Në një deklaratë në platformën turke të mediave sociale NSosyal, ministria njoftoi se drejtori i Përgjithshëm për Mbrojtjen dhe Sigurinë, gjenerallejtënant Ilkay Altindag, zhvilloi takime me ministren e deleguar pranë Ministrit francez të Forcave të Armatosura, Alice Rufo, shefin ushtarak të kabinetit të presidentit francez, gjeneralin Vincent Giraud, si dhe drejtorin e Përgjithshëm për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Strategjinë, Guillaume Ollagnier.

Në takime u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe ushtrisë, dialogu strategjik dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekzistues. Palët ritheksuan gjithashtu rëndësinë e kontakteve të rregullta dhe të orientuara drejt rezultateve.

Në këtë kuadër, dy vendet nënshkruan udhërrëfyesin për bashkëpunimin në mbrojtje, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Türkiyes dhe Francës dhe forcimit të dialogut strategjik, tha ministria.

“Nënshkrimi tregon se mesazhet pozitive të përcjella së fundmi nga udhëheqësit e dy vendeve janë shndërruar në një hap konkret dhe domethënës bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes”, thuhet në deklaratë.

“Udhërrëfyesi synon të forcojë dialogun strategjik përmes kontakteve të rregullta dhe të orientuara drejt rezultateve, si dhe të çojë më tej bashkëpunimin mbi bazën e përfitimit të ndërsjellë të të dy vendeve”, shtoi ministria.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë