Drejtues të institucioneve turke në Shqipëri kanë zhvilluar sot vizitë në Gjimnazin me Orientim Gjuhësor “Asim Vokshi” në Tiranë, ndërkohë është nënshkruar edhe protokolli i bashkëpunimit “Turqishtja-zgjedhja ime”, midis Institutit "Yunus Emre"-Tiranë dhe gjimnazit.
Pjesë e vizitës dhe aktivitetit ishin ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oguzhan Sakoglu, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Murat Olçenoglu, zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Orjana Osmani, drejtues të shkollës, zyrtarë të tjerë, mësues dhe nxënës.
Duke iu drejtuar nxënësve të pranishëm, ambasadori Erciyes tha ata janë e ardhmja dhe themeli i marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Shqipërisë.
"Patjetër që kemi lidhje të forta që nga e kaluara, por patjetër që këto duhen çuar përpara në të ardhmen dhe duhet të qëndrojnë të forta. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke mësuar gjuhën turke, duke njohur kulturën turke, për t’u bërë si urë lidhëse në të ardhmen", tha ambasadori turk.
Ambasadori Erciyes ndër të tjera u shpreh se i shikon nxënësit si ambasadorë të së ardhmes të marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri.
Zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Orjana Osmani, theksoi në fjalën e saj se është e rëndësishme të vendosen ura bashkëpunimi edhe përmes këtij momenti.
"Dy popujt tanë, populli turk dhe populli shqiptar kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ky vëllazërim na ka shoqëruar gjatë gjithë kohës. Në këtë moment kaq të rëndësishëm patjetër që ka një meritë shumë të madhe e gjithë mbështetja që ka dhënë Qeveria turke, Ambasada turke dhe të gjithë komponentët që e kanë bërë të mundur realizimin e kësaj marrëveshjeje sot", tha Osmani.
Sakoglu u shpreh se Instituti "Yunus Emre" përveç kurseve të turqishtes në ambientet e tij, ka edhe bashkëpunime jashtë institutit, për të ofruar mbështetje për mësimdhënien e turqishtes.
"Ne filluam bashkëpunimin me shkollën ‘Asim Vokshi’ që në vitin 2017 kur u hap dhe gjuha turke në shkollë dhe kemi parë me vërtet nxënës shumë të suksesshëm. Gjuha është një mjet dhe ne jemi përpjekur të jemi një mjet për nxënësit që duan të mësojnë turqisht. Shpresoj që kjo të jetë një shembull edhe për shkolla të tjera në Shqipëri", u shpreh Sakoglu.
Drejtoresha e Gjimnazit me Orientim Gjuhësor “Asim Vokshi”, Marsida Jarani, falënderoi institucionet turke për mbështetjen që kanë ofruar për shkollën që ajo drejton.
"Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe shkëmbimi i kulturës dhe zhvillimi më tej i arsimit shqiptar. (Instituti) "Yunus Emre" ka qenë një nga bashkëpunëtorët tanë më të mirë", theksoi Jarani.
Më parë, edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ofruar mbështetje për gjimnazin në fjalë.
Me anë të protokollit të nënshkruar nga Sakoglu dhe Jarani synohet shtrirja e mësimdhënies së turqishtes në Shqipëri në kuadër të projektit të institutit "Turqishtja-zgjedhja ime”, hapja e kurseve të turqishtes në këtë gjimnaz dhe përcaktimi i veprimtarive të përbashkëta.























