Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, tha të martën se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë në avancimin e nismave të transportit në të gjithë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), duke e përshkruar lidhjen gjeografike midis shteteve anëtare si një avantazh strategjik, transmeton Anadolu.
"Kazakistani është i gatshëm të lehtësojë promovimin e iniciativave të transportit në të gjithë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait," tha Tokayev në një fjalim në takimin e Këshillit të Krerëve të Shteteve të organizatës në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek.
Tokayev tha se Kazakistani i kushton "rëndësi të madhe" integrimit të Iniciativës "Një Brez, një Rrug", Rrugës Ndërkombëtare të Transportit Trans-Kaspik, Korridorit Veri-Jug dhe "rrugëve tregtare premtuese midis Azisë Qendrore dhe Jugore".
Ai gjithashtu propozoi zhvillimin dhe miratimin e një "Strategjie për Lidhjen e Transportit" të SCO-së deri në vitin 2035.
Tokayev e përshkroi SCO si një "strukturë ndërkombëtare me të vërtetë të suksesshme, me ndikim dhe të kërkuar", duke thënë se ajo përfaqëson një kombinim unik të vendeve që janë "të ndryshme në thelb, por të bashkuar në frymë".
Ai tha se mes shfaqjes së një arkitekture të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, SCO po merr "një rëndësi të veçantë", duke shprehur besimin se rezultatet e takimit do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të pozitës ndërkombëtare të organizatës, "do të rrisin efektivitetin e saj dhe do të formojnë interesa të qarta strategjike në një realitet global në ndryshim".
Presidenti kazak propozoi gjithashtu mbajtjen e një konference ministrore të SCO-së mbi stabilitetin strategjik, agjenda e së cilës mund të përfshijë reduktimin e rreziqeve ushtarake, frenimin e një gare të re armësh dhe parandalimin e incidenteve të rrezikshme.
"Me shqetësim të veçantë është fakti se pasojat e konflikteve të armatosura tashmë po shtrihen përtej zonave të menjëhershme të luftimit, duke ndikuar në tregjet ndërkombëtare, transportin tregtar dhe stabilitetin e lidhjeve të energjisë dhe transportit," tha Tokayev.
Ai shtoi se këto zhvillime kanë rritur ndjeshëm rrezikun e "përhapjes së krizës ndërkufitare", ndërsa lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe separatizmit mbetet një prioritet për bashkëpunimin e SCO.
“Këto kërcënime ndërthuren gjithnjë e më shumë me krimin transnacional, trafikun e drogës, trafikun e paligjshëm të armëve dhe kërcënimet kibernetike,” shtoi ai.




















