Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.
Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme.
Kurti vlerësoi se Bashkimi Evropian (BE) mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e BE-së, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.
“Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thuhet në komunikatë.
Kurti gjatë takimit me presidentin Costa ka konsideruar që me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik “Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”.
Kjo ishte vizita e dytë e presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.






















