Të dhënat statistikore të publikuara ditën e enjte nga qeveria e Gazës tregojnë se Izraeli kontrollon mbi 80 për qind të Rripit të Gazës pas 1.000 ditësh gjenocid, ndërsa mbi 223.000 tonë eksploziv është hedhur mbi enklavën palestineze.
“Më shumë se 73.000 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë mbi 21.500 fëmijë dhe 12.500 gra, ndërsa 9.500 të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur”, thuhet në njoftimin e zyrës qeveritare për media.
Gjithsej 173.514 palestinezë janë plagosur, duke përfshirë 433 gazetarë, ndërsa 5.400 persona i janë nënshtruar amputimeve, nga të cilët 18 për qind fëmijë. Zyra ka dokumentuar gjithashtu 1.500 raste paralize dhe 1.200 raste të humbjes së shikimit.
“Mbi 58.800 fëmijë kanë mbetur pa prindër, ndërsa janë regjistruar mbi 2,14 milionë raste sëmundjesh infektive, duke përfshirë 71.338 raste të hepatitit viral”, thuhet në njoftim.
Izraeli ka shkatërruar plotësisht 1.047 xhami dhe ka dëmtuar pjesërisht 210 të tjera, ka sulmuar tri kisha dhe ka vrarë 312 imamë, predikues, mësues të Kuranit dhe figura fetare të tjera.
Gjithashtu bëhet me dije se Izraeli ka shkatërruar ose nxjerrë jashtë përdorimit 38 spitale dhe 96 qendra shëndetësore, si dhe ka sulmuar 197 autoambulanca, 84 automjete të ndihmës së shpejtë dhe 16 qendra të mbrojtjes civile.
Paraprakisht, qeveria i vlerëson humbjet e drejtpërdrejta nga lufta në rreth 80 miliardë dollarë, duke përfshirë 34 miliardë dollarë në sektorin e banesave. Izraeli ka shkatërruar plotësisht 335.000 ndërtesa dhe njësi banimi, si dhe ka dëmtuar 737.000 të tjera.
Zyra për Media e Qeverisë në Gazës solli në kujtesë gjithashtu se Izraeli e nisi gjenocidin – me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – më 8 tetor 2023, dhe se ai përfundoi zyrtarisht me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit më 10 tetor 2025.
Megjithatë – saktëson ajo – Izraeli ka vazhduar ta shkelë marrëveshjen nëpërmjet bombardimeve të përditshme, shtrëngimit të bllokadës dhe pengimit të hyrjes së sasisë së mjaftueshme të ndihmës humanitare, ushqimit dhe ndihmës mjekësore.























