| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
ICE-ja arreston 238 emigrantë në një operacion njëditor në Teksas
Agjencia amerikane thotë se operacioni në Luginën Rio Grande ishte aksioni më i madh i zbatimit të ligjit në rajon.
ICE-ja arreston 238 emigrantë në një operacion njëditor në Teksas
ICE-ja arreston 238 emigrantë në një operacion njëditor në Teksas. / AA

Agjencia Amerikane për Imigracionin dhe Zbatimin e Doganave (ICE) njoftoi se zyra e saj në Harlingen, Teksas, arrestoi 238 emigrantë gjatë një operacioni njëditor në Luginën Rio Grande, duke e cilësuar atë si aksionin më të madh të synuar të zbatimit të ligjit në këtë rajon, raportoi të mërkurën Fox News.

Operacioni i zhvilluar më 18 qershor, në bashkëpunim me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, çoi në arrestimin e personave me dënime të mëparshme për vepra penale, përfshirë tentim rrëmbimi, dhunë seksuale dhe posedim të lëndëve narkotike, bëri të ditur ICE-ja.

“Misioni i ICE-së vazhdon të fokusohet në rritjen e sigurisë publike dhe rikthimin e integritetit në sistemin e imigracionit të vendit tonë”, tha në një deklaratë drejtori i Zyrës së ICE-së në Harlingen, Juan Agudelo.

Mes të arrestuarve ishte edhe Manuel Morales-Geronimo, shtetas meksikan, të cilin ICE-ja e identifikoi si anëtar të bandës Paisas. Agjencia tha se ai kishte dënime të mëparshme për sulm që shkaktoi lëndime trupore, posedim të substancave të kontrolluara, posedim të marijuahnës, drejtim automjeti në gjendje të dehur, hyrje të paligjshme në ShBA dhe tri raste të rikthimit të paligjshëm në vend.

ICE identifikoi gjithashtu edhe Jose Alfredo Castillo-Mendoza, shtetas meksikan, si një nga të arrestuarit. Sipas agjencisë, ai kishte dënime të mëparshme për tentim rrëmbimi, dhunë seksuale dhe rikthim të paligjshëm në ShBA.

Njoftimi erdhi në një kohë kur presidenti Donald Trump mbrojti ndalimet e automjeteve për kontroll në kuadër të zbatimit të ligjeve të imigracionit, pasi u raportua se Departamenti i Sigurisë Kombëtare kishte shqyrtuar mundësinë e pezullimit të shumicës së këtyre kontrolleve.

Trump shkroi në rrjetet sociale se ndalimet e automjeteve mbeten “një nga mjetet më të rëndësishme dhe më efektive të ICE-së në luftën kundër krimit”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë