Iraku dhe Franca ranë dakord të hënën të zgjerojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe nënshkruan gjashtë marrëveshje pas bisedimeve midis kryeministrit irakian, Ali al-Zaidi dhe presidentit francez, Emmanuel Macron në Paris.
Të dy udhëheqësit ranë dakord gjithashtu për një udhërrëfyes për blerjet e ardhshme irakiane të armëve dhe sistemeve ushtarake franceze, sipas zyrës së kryeministrit të Irakut.
Bisedimet mbuluan gjithashtu sigurinë kufitare dhe përpjekjet për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Irakut.
Ndër marrëveshjet ishte një letër qëllimi midis Ministrisë së Mbrojtjes të Irakut dhe kompanisë franceze Harmattan AI mbi sistemet autonome të mbrojtjes ajrore.
Bagdadi planifikon gjithashtu bisedime të mëtejshme me kompanitë franceze për artilerinë, sistemet kundër dronëve, mbrojtjen ajrore dhe mbikqyrjen.
Marrëveshjet e tjera mbulonin pajisjet ushtarake franceze për Irakun, bashkëpunimin për gazin që përfshin TotalEnergies, aviacionin civil, kërkimin dhe inovacionin, dhe bashkëpunimin me Agjencinë Franceze të Zhvillimit.
Macron dhe al-Zaidi diskutuan gjithashtu sigurinë rajonale, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe duke riafirmuar mbështetjen për lirinë e lundrimit, duke përfshirë ngushticën e Hormuzit.
Të dyja palët ranë dakord të zhvillojnë më tej lidhjet ekonomike dhe energjetike nën partneritetin e tyre strategjik të nënshkruar në 2023.
Al-Zaidi përfundoi vizitën e tij dyditore në Francë të hënën dhe pritet të udhëtojë për në Gjermani për pjesën e dytë të turneut të tij evropian.






















