Serbia ka vendosur që ta tërheqë ekipin në basketbollin e vogël 3x3, ku ishte planifikuar një duel i ekipit serb me ekipin nga Kosova në kuadër të Lojërave Mesdhetare "Taranto 2026".
Kjo u bë e ditur kur organizatori ka njoftuar për ndryshimet në orarin e transmetimeve të Lojërave Mesdhetare "Taranto 2026", pas tërheqjes së Serbisë nga gara e basketbollit 3x3.
Vendimi i Serbisë tërheq vëmendje të veçantë për Kosovën, pasi përfaqësuesja serbe ishte shortuar në të njëjtin grup me Kosovën, ndërsa dy ekipet ishte planifikuar të përballeshin më 29 gusht.
Unioni i Transmetuesve Evropianë-EBU, ka komunikuar se, si pasojë e tërheqjeve, është ndryshuar orari i garave dhe versioni i ri zëvendëson atë të shpërndarë më herët.
Edhe pse nuk është dhënë ndonjë arsye zyrtare që tërheqjen e Serbisë, koha dhe rrethanat e tërheqjes kanë ngritur pikëpyetje, pasi Serbia në të kaluarën, veçanërisht në sportet ekipore, ka shmangur pjesëmarrjen në gara ku është përballur me Kosovën, apo ka kërkuar short pjesërisht të dirigjuar për të mos u vendosur në të njëjtin grup.
Kështu, me tërheqjen e Serbisë, nuk do të zhvillohet as përballja e planifikuar më 29 gusht, Kosovë-Serbi në basketbollin 3x3.
Vëmendja tani është edhe te sporti i boksit ku sonte boksierja kosovare Donjeta Sadiku do të përballet me rusen me pasaportë serbe, Kristina Kuhulova, në kategorinë deri në 60 kilogramë për femra dhe mbetet të shihet nëse Serbia do të tërhiqet edhe nga ky duel.
Sadiku synon medaljen e artë në Taranto, në një tjetër përballje që e vendos Kosovën përballë një sportisteje me lidhje me Serbinë.






















