| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mucunski-Cassis: Në fokus marrëdhëniet ekonomike dhe integrimi evropian
Në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, me theks të veçantë në tregti, investime dhe ndërlidhjen e komuniteteve të biznesit.
Mucunski-Cassis: Në fokus marrëdhëniet ekonomike dhe integrimi evropian
Mucunski-Cassis: Në fokus marrëdhëniet ekonomike dhe integrimi evropian

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në Shkup ka zhvilluar një takim me shefin e diplomacisë zvicerane, Ignazio Cassis, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në vend.

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme, në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, me theks të veçantë në tregti, investime dhe ndërlidhjen e komuniteteve të biznesit.

“Qëllimi është që bashkëpunimi ekonomik të bëhet një shtyllë edhe më e fuqishme e marrëdhënieve dhe të krijojë mundësi konkrete për kompanitë dhe qytetarët”, theksoi Mucunski gjatë takimit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit zhvillimor, me ç’rast Mucunski shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i jep Maqedonisë së Veriut që nga viti 1992 si dhe për kontributin e programeve zvicerane në forcimin e institucioneve.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për kryesimin aktual të Zvicrës me OSBE-në dhe situatën e sigurisë në Evropë. Mucunski e përshëndeti angazhimin e Zvicrës në kuadër të OSBE-së dhe riafirmoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për përpjekjet e saj.

“Jam i bindur se nën kryesimin zviceran, OSBE-ja do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e besimit, dialogut dhe sigurisë. Në këto përpjekje, Zvicra ka mbështetjen tonë të fuqishme”, theksoi më tutje Mucunski.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për integrimin evropian dhe proceset reformuese, me ç’rast Mucunski e riafirmoi përcaktimin strategjik të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian (BE) si dhe përkushtimin për vazhdimin e reformave dhe përafrimin me standardet evropiane.

Në bisedime u përfshinë edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike, me ç’rast u theksua rëndësia e lidershipit, solidaritetit, unitetit dhe partneriteteve të fuqishme për ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në kontinentin evropian.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë