Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet me Iranin kanë marrë hov dhe mund të çojnë drejt një marrëveshjeje, por paralajmëroi se ShBA-ja mund të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake kundër objekteve bërthamore iraniane, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Trump i bëri këto deklarata gjatë një takimi shumëpalësh me vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe Türkiyen, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
“Mendoj se ka një vrull të madh që ata të arrijnë një marrëveshje. Këtë po dëgjojmë nga të gjithë”, tha Trump.
“Po, sot. Rreth një orë më parë”, u përgjigj më pas Trump, kur u pyet nëse ndonjë përfaqësues i ekipit të tij ishte takuar me delegacionin iranian, duke shtuar se takimi kishte shkuar “shumë mirë”.
“Përfundoi një orë më parë. Ishte një takim që zgjati tri orë”, tha ai. “Ishte një takim shumë i mirë. Duhet t’ju them se ishte vërtet shumë i mirë. Nuk arrij ta imagjinoj përse ata nuk do të dëshironin ta bënin këtë”.
Duke argumentuar se Irani përballet me një zgjedhje vendimtare, ai tha: “Në njërin rast është asgjësimi, ndërsa alternativa tjetër është madhështia e mundshme. Mund të bëhet një vend i madh.”
Kur u pyet se kush kishte marrë pjesë në takim, Trump ia drejtoi pyetjen të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke i pyetur nëse dëshironin të komentonin.
Më pas, ai tha: “Ata zhvilluan një takim shumë të mirë dhe produktiv, ndërsa një takim tjetër është planifikuar të mbahet në një të ardhme shumë të afërt”.
“Ka dy alternativa”, tha Trump. “Njëra është shumë e keqe, ndërsa tjetra mund ta çojë vendin drejt madhështisë”.
Witkoff tha: “Ndihem shumë mirë tani. Ndihem shumë mirë. Është bekim të punosh për presidentin Trump”.
Në një postim të veçantë në X, Witkoff deklaroi se delegacionet e ShBA-së dhe Iranit zhvilluan “bisedime të gjata” në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, “nëpërmjet ndërmjetësve, të cilët lëvizën gjatë gjithë ditës mes dy palëve”.
“Ata përfunduan me sukses një raund diskutimesh, për të cilin shpresojmë se do të rezultojë konstruktiv dhe premtues. Ndërmjetësit do ta vazhdojnë punën e tyre”, shtoi ai.
Duke cituar zyrtarë iranianë, gazeta The New York Times raportoi se delegacioni iranian drejtohej nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Sipas raportimit, takimi u ndërmjetësua nga Pakistani dhe Katari, ndërsa burimet thanë se bisedimet u përqendruan në arritjen e një marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Media shtetërore iraniane raportoi se Araghchi u takua me Witkoffin në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Frytet e përpjekjeve tona”
Duke iu referuar diskutimeve të zhvilluara vitin e kaluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trump tha se shumë prej të njëjtëve udhëheqës ishin mbledhur për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Pikërisht një vit më parë, shumë prej vendeve tona u takuan këtu, në margjinat e Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar se si mund t’i jepnim fund luftës së përgjakshme në Gaza. Pothuajse të njëjtat figura ishin këtu, përfshirë mikun tim nga Türkiye, që ndodhet këtu pranë meje”, tha Trump, duke iu referuar presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
“Ai është i jashtëzakonshëm. Një njeri i jashtëzakonshëm, apo jo, miku im?”, shtoi ai.
Pas takimit, Erdoğan u tha gazetarëve jashtë selisë së OKB-së se tetë vende ishin bërë bashkë.
“Po përpiqemi t’i kapërcejmë vështirësitë në Gjirin Persik. Duam t’i shohim sa më parë frytet e përpjekjeve tona”, tha Erdoğan.
“Bashkëpunim ekonomik”
Më herët, gjatë fjalimit në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, presidenti amerikan Donald Trump tha se besonte se një marrëveshje me Iranin do të arrihej menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme në ShBA. Megjithatë, ai paralajmëroi se Teherani do të çohej “në ferr” nëse nuk arrihej një marrëveshje.
“A t’i çoj në ferr, pa asnjë mundësi mbijetese dhe pa asnjë shpresë për madhështinë e ardhshme apo për brezat e ardhshëm?”, tha Trump.
“Ata po presin të shohin se si do të dal në zgjedhjet afatmesme”, tha Trump, duke shtuar se ai vetë nuk kandidon dhe se nuk do të lejojë që zgjedhjet të ndikojnë në politikën e tij ndaj Iranit.
Trump tha se, pasi mori detyrën, kishte nisur negociatat me Iranin, duke i ofruar Teheranit “bashkëpunim ekonomik” në këmbim të përfundimit të programit të tij bërthamor, por se Irani e kishte “refuzuar kategorikisht” ofertën në atë kohë.
Ai përsëriti se Iranit nuk do t’i lejohej kurrë të zotëronte armë bërthamore dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve që ta izolojnë ekonomikisht Iranin.



















