| Albanian
TÜRKİYE
5 minuta leximi
Erdoğan: OKB-ja duhet të heqë veton e Këshillit të Sigurimit
Presidenti turk, në një artikull për Bloomberg, propozon reformim të Këshillit, duke kërkuar më shumë anëtarë të zgjedhur, kompetenca më të forta për Asamblenë e Përgjithshme dhe heqjen e vetos për anëtarët e përhershëm.
Erdoğan: OKB-ja duhet të heqë veton e Këshillit të Sigurimit
Erdoğan: OKB-ja duhet të heqë veton e Këshillit të Sigurimit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan bëri thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë heqjen e së drejtës së vetos që gëzojnë anëtarët e përhershëm, duke argumentuar se sistemi ndërkombëtar duhet të pasqyrojë më mirë realitetet globale të sotme.

Në një artikull për Bloomberg me titull “OKB-ja duhet të heqë veton e Këshillit të Sigurimit”, Erdoğan tha se krizat e fundit, përfshirë pandemitë, goditjet energjetike, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe konfliktet rajonale, kanë treguar kufizimet e një sistemi ku zgjidhjet për sfidat globale varen nga vendimet e vetëm një grushti vendesh.

Duke theksuar se mekanizmat globalë të vendimmarrjes duhet të përshtaten me kushtet e sotme, ai tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së vazhdon të pasqyrojë strukturën e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Erdoğan tha se nevojitet një sistem përfaqësimi “më efektiv, më i drejtë dhe më i përgjegjshëm” dhe bëri thirrje për pjesëmarrje më të gjerë në vendimmarrjen globale.

Ai tha se thirrja e Türkiyes se “bota është më e madhe se pesë” duhet të kuptohet si një apel për një shpërndarje më të gjerë të përgjegjësisë në sistemin ndërkombëtar.

Erdoğan prej kohësh kërkon reforma në OKB, duke përdorur shpesh sloganin: “Bota është më e madhe se pesë”, i cili i referohet mungesës së përfaqësimit të gjerë në përbërjen e Këshillit të Sigurimit.

Prej vitesh, Këshilli është përballur me kritika se pesë anëtarët me të drejtë vetoje, ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, kanë një ndikim joproporcional.

“Është thelbësore që nevoja për reformë të shndërrohet në një udhërrëfyes konkret”, tha Erdoğan. “Në qendër të këtij udhërrëfyesi duhet të jetë heqja e privilegjit të vetos”.

Ai argumentoi se vetëm shtimi i anëtarëve të rinj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit nuk do ta zgjidhte përqendrimin e fuqisë vendimmarrëse në duart e një numri të vogël vendesh.

Sipas tij, reforma duhet të bazohet në parimin se asnjë vend nuk duhet të ketë në mënyrë të përhershme mundësinë për të bllokuar vullnetin e shumicës së komunitetit ndërkombëtar.

“Rol më i madh për Asamblenë e Përgjithshme”

Presidenti bëri gjithashtu thirrje për një ekuilibër të ri mes Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme.

Ai propozoi forcimin e kompetencave të Asamblesë së Përgjithshme dhe krijimin e një Këshilli të Sigurimit pa anëtarë të përhershëm, ku anëtarët e Këshillit të zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme për mandate të përcaktuara.

Sipas qasjes së paraqitur nga Erdoğan, vendet që do të kërkonin një mandat tjetër do të duhej të rifitonin besimin e shumicës së anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme përmes zgjedhjeve.

“Përfaqësimi dhe llogaridhënia e Këshillit të Sigurimit përpara Asamblesë së Përgjithshme duhet të forcohen”, tha ai.

Ai argumentoi se rendi ndërkombëtar i së ardhmes nuk mund të ndërtohet duke ruajtur hierarkitë e së kaluarës.

“Zhvillimet e çerek shekullit të fundit, që është një periudhë relativisht e shkurtër në historinë e njerëzimit, kanë treguar se asnjë ekuilibër fuqie dhe asnjë rend ndërkombëtar nuk është i përhershëm”, tha ai.

Erdoğan tha se qendra të reja fuqie janë shfaqur në fusha që variojnë nga ekonomia dhe siguria te teknologjia dhe diplomacia, ndërsa institucionet ndërkombëtare nuk kanë arritur të përshtaten me këto ndryshime me të njëjtin ritëm.

Luftërat, kriza klimatike, migracioni i parregullt dhe dobësitë ekonomike kanë nxjerrë në pah rëndësinë e institucioneve të forta, ekonomive të qëndrueshme dhe kapaciteteve efektive të mbrojtjes, shtoi ai.

Presidenti turk vuri në dukje gjithashtu rëndësinë në rritje të korridoreve të sigurta dhe të qëndrueshme të tregtisë, logjistikës, transportit dhe energjisë.

Erdoğan tha se pesha ekonomike e Azisë po rritet, ndërsa vendet afrikane po kërkojnë një përfaqësim më të fuqishëm, në përputhje me potencialin e kontinentit.

Thirrje për më shumë drejtësi në ekonominë globale

Ai tha gjithashtu se vendet në zhvillim po shprehin gjithnjë e më shumë prioritetet e tyre dhe argumentoi se problemet rajonale nuk mund të zgjidhen gjithmonë përmes metodave të përcaktuara nga jashtë.

“Qasjet e bazuara në vullnetin e vendeve të përfshira, kushtet lokale dhe interesat e përbashkëta do të prodhojnë rezultate më të qëndrueshme dhe afatgjata”, tha Erdoğan.

Ai u bëri thirrje vendeve që kanë kapacitete diplomatike, burime ekonomike dhe aftësinë për të komunikuar me palë të ndryshme që të marrin “role më aktive” në promovimin e paqes dhe stabilitetit.

Erdoğan trajtoi gjithashtu pabarazitë ekonomike, duke thënë se pritshmëritë që globalizimi do ta shpërndante gjerësisht mirëqenien nuk janë realizuar plotësisht.

Ai tha se pabarazitë në të ardhura janë thelluar, ndërsa varësitë teknologjike dhe ekonomike janë shndërruar në fusha të reja konkurrence.

“Që të arrihet drejtësia globale në këto rrethana në ndryshim, përgjegjësitë duhet të ndahen në mënyrë të drejtë”, tha Erdoğan, duke shtuar se duhet të garantohet e drejta e vendeve në zhvillim për zhvillim dhe qasja e tyre në financimet që u nevojiten.

Ai argumentoi gjithashtu se sistemi ndërkombëtar duhet të marrë më mirë parasysh realitetet ekonomike dhe politike në ndryshim në rajone të ndryshme.

Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë të përdorë marrëdhëniet e saj të gjera ndërkombëtare dhe përvojën në diplomacinë shumëpalëshe për të mbështetur përpjekjet për reformimin e sistemit ndërkombëtar.

“Ne mbështesim përpjekjet për heqjen e privilegjit të vetos, dhënien e një peshe më të madhe anëtarëve të zgjedhur në proceset vendimmarrëse dhe forcimin e rolit të Asamblesë së Përgjithshme”, tha ai.

Ai tha se bashkëpunimi mes vendeve nga rajone të ndryshme, i bazuar në parime të përbashkëta, do të forconte legjitimitetin dhe kapacitetin përfaqësues të sistemit ndërkombëtar.

“Paqja e qëndrueshme në botën e sotme nuk mund të arrihet duke shumëfishuar blloqe që janë të shkëputura nga njëra-tjetra dhe që nuk komunikojnë mes tyre”, tha Erdoğan.

“Për një botë më të drejtë, duhet të bashkojmë në një terren të përbashkët përvojën, kapacitetet dhe vullnetin e rajoneve të ndryshme”.

Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë të marrë përsipër përgjegjësinë e saj në përpjekjet për reformimin e sistemit ndërkombëtar, duke iu referuar traditës shtetërore të vendit, kapaciteteve diplomatike dhe marrëdhënieve me rajone të ndryshme.



BURIMI:TRT World and Agencies