Kompania e Energjisë Bërthamore e Türkiyes (TUNAS) dhe Agjencia Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA) nënshkruan një marrëveshje granti për reaktorët e vegjël modularë (SMR) dhe reaktorët e gjeneratës së katërt, gjatë një ceremonie në Türkevi në Nju Jork, bëri të ditur të martën ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar.
Bayraktar tha në një postim në X se marrëveshja do t’i mundësojë Türkiyes të vlerësojë në mënyrë gjithëpërfshirëse fizibilitetin teknik, ekonomik dhe rregullator të teknologjive bërthamore të gjeneratës së ardhshme.
“Në përputhje me objektivat tona për emetime neto zero deri në vitin 2053 dhe pavarësi të plotë energjetike, ne jemi të përkushtuar të diversifikojmë miksin tonë energjetik”, tha ai.
“Përveç centraleve tona bërthamore në shkallë të gjerë, do të vazhdojmë me vendosmëri të ndërtojmë një infrastrukturë energjetike të fuqishme dhe moderne, duke shqyrtuar me kujdes alternativat që i përshtaten më së miri nevojave të vendit tonë”, shtoi Bayraktar.























