Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka pritur në takim nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Nikolla Camaj, gjatë të cilit u theksua miqësia tradicionale dhe bashkëpunimi konstruktiv afatgjatë, si dhe mbështetja ndërmjet dy vendeve.
Siç njofton zyra e kryeparlamentarit Gashi, ai uroi Malin e Zi përfundim të suksesshëm të procesit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian (BE) dhe theksoi se fatkeqësisht rruga e Maqedonisë së Veriut drejt bllokut është penguar nga një kontest bilateral me Bullgarinë.
Gashi theksoi se si shtet vazhdojnë të punojnë intensivisht në procesin reformues, i cili është i rëndësishëm për përparimin e vendit.
Në këtë drejtim, tha Gashi, përvoja e Malit të Zi është shumë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, si në pjesën e reformave ashtu edhe në rrugën eurointegruese.
Camaj, nga ana tjetër, theksoi se Mali i Zi është i përkushtuar ndaj qëllimit që brenda dy viteve, përkatësisht në vitin 2028, të bëhet anëtar i plotë i BE-së.
Ai informoi se deri më tani, në procesin e negociatave me BE-në, kanë mbyllur 14 kapituj, ndërsa 19 të tjerë mbeten të hapur, por në rrugën e tyre eurointegruese presin mbështetje nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan se në të dy parlamentet janë formuar grupe për bashkëpunim dhe e theksuan rëndësinë që këto grupe ta intensifikojnë bashkëpunimin, sidomos në pjesën e shkëmbimit të përvojave në procesin eurointegrues.





















