| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë me iniciativë për shkarkimin e ministres Paunoviq
"Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë", tha Shaip Kamberi.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë me iniciativë për shkarkimin e ministres Paunoviq
Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar kërkesë për shkarkimin e ministres serbe të Administratës Publike dhe të Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj për spastrimin etnik në Kosovë.

Kamberi nëpërmjet rrjeteve sociale sot ka bërë të ditur se iniciativës iu janë përgjigjur edhe 47 deputetë të tjerë të cilët kanë nënshkruar këtë nismë, ndërsa në total janë bërë 53 deputetë të opozitës që i kanë dorëzuar kryeminsitrit të Serbisë, Gjuro Macut, kërkesën për shkarkimin e ministres Paunoviq.

"Nëse Gjuro Macut refuzon ta propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë. Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!", shkroi Kamberi.

Paunoviq gjatë një emisioni ka deklaruar se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Kuvendi i Serbisë ka gjithsej 250 deputetë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë