| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Rama takon në Seul homologun e Koresë së Jugut, në fokus Inteligjenca Artificiale dhe turizmi
Pas vizitës në Korenë e Jugut, Rama pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Japoni.
Rama takon në Seul homologun e Koresë së Jugut, në fokus Inteligjenca Artificiale dhe turizmi
Rama takon në Seul homologun e Koresë së Jugut, në fokus Inteligjenca Artificiale dhe turizmi / AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Koresë së Jugut, ndërkohë është takuar me kryeministrin Kim Minseok, ku në fokus ishin diskutimet mbi marrëdhëniet mes dy vendeve në disa fusha.

Pjesë e takimit ishin edhe disa ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë nga të dyja vendet.

"Me kryeministrin e Republikës së Koresë (së Jugut), Kim Minseok, u fol për 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ngjashmëritë e historive tona dhe bashkëpunimin e mëtejshëm, me fokus teknologjinë, Inteligjencën Artificiale dhe turizmin", ka shkruar Rama në rrjetet sociale në lidhje me takimin.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, vizita synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë dhe inovacionin.

Gjithashtu theksohet se agjenda e vizitës përfshin edhe takime me drejtues të kompanive më të mëdha të Koresë së Jugut, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri.

Pas vizitës në Korenë e Jugut, Rama pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Japoni.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë