| Albanian
RAJONI
4 minuta leximi
Shqipëria dhe Türkiye theksojnë rëndësinë e inteligjencës artificiale në sektorin e shërbimeve
Në Tiranë u mbajt forumi “E Ardhmja e Shërbimeve”, organizuar nga MUSIAD Albania, ku ambasadori i Türkiyes në Tiranë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare diskutuan mbi ndikimin e IA-së në transformimin e sektorit të shërbimeve.
Shqipëria dhe Türkiye theksojnë rëndësinë e inteligjencës artificiale në sektorin e shërbimeve
Shqipëria dhe Türkiye theksojnë rëndësinë e inteligjencës artificiale në sektorin e shërbimeve / AA

Përfaqësia për Shqipërinë e Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Türkiye (MUSIAD Albania) ka zhvilluar në Tiranë forumin e diskutimit me temë "E ardhmja e shërbimeve".

Pjesë e eventit ishin Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Inovacionit të Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Sipas MUSIAD Albania, eventi kishte për qëllim ta bashkojë biznesin, institucionet dhe profesionistët për ta diskutuar transformimin e industrisë së shërbimeve në epokën e inteligjencës artificiale.

Në fjalën e tij në hapje të eventit, ambasadori Erciyes u shpreh se integrimi i inteligjencës artificiale në sektorin e shërbimeve është me rëndësi të madhe si për Shqipërinë ashtu edhe për Türkiyen.

Ai shtoi ekonomia dinamike e Shqipërisë, burimet e saj njerëzore të reja dhe të kualifikuara, si dhe procesi i integrimit në tregjet evropiane ofrojnë mundësi të rëndësishme për botën e biznesit turk. Ambasadori turk tha se nga ana tjetër, kapaciteti prodhues i Türkiyes, infrastruktura teknologjike dhe përvoja në sipërmarrje krijojnë një mundësi të fuqishme bashkëpunimi për Shqipërinë.

"Në ditët e sotme, konkurrenca ekonomike nuk përcaktohet vetëm nga kapaciteti prodhues, por edhe nga aftësia për të aksesuar informacionin, për t’i analizuar saktë të dhënat, për të kuptuar ndryshimet në sjelljen e konsumatorit dhe për të zhvilluar parashikime strategjike. 

Veçanërisht sektori i shërbimeve po kalon një proces të shpejt transformimi për shkak të ndikimit të digjitalizimit. Siç e shohim të gjithë, inteligjenca artificiale po i transformon rrënjësisht mënyrat e të bërë biznes", tha Erciyes.

Duke theksuar se është me rëndësi kritike që sektori i shërbimeve të integrojë sa më mirë teknologjitë e Inteligjencës Artificiale, ai tha: "Nga ana tjetër, është po aq e rëndësishme të sigurohet përdorimi i drejtë, i sigurt dhe etik i inteligjencës artificiale. Parimi ynë bazë duhet të jetë që teknologjia të mos e zëvendësojë njeriun, por ta mbështesë atë".

"Në këtë kuadër edhe marrëdhëniet tona me Shqipërinë po fitojnë një vlerë strategjike gjithnjë e më të madhe. Unë besoj se nëse zhvillojmë bashkëpunimin dhe aktivitetet tona edhe në këtë fushë, bashkëpunimi ekonomik brenda partneritetit tonë strategjik do të bëhet shumë më i fortë", shtoi ai.

"Në administratën publike, përdorimi i IA-së po ndihmon në automatizimin e proceseve"

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Olta Manjani, theksoi se pyetja nuk është më nëse IA-ja do ta ndryshojë ekonominë, por sa shpejt do të arrihet ta përdorin atë në favor të zhvillimit të Shqipërisë.

Manjani u shpreh ndër të tjera se në sektorin e shërbimeve, inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë. "Në administratën publike, përdorimi i IA-së po ndihmon në automatizimin e proceseve, analizimin më të shpejtë të dokumenteve dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët. Po pilotohen sisteme inteligjente për përkthime dhe analizë dokumentesh në procesin e harmonizimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian, si dhe po përdoren teknologji që ndihmojnë në identifikimin e boshllëqeve ligjore dhe përpunimin e të dhënave administrative", tha Manjani.

Manjani theksoi se Qeveria shqiptare e ka vendosur transformimin digjital dhe Inteligjencën Artificiale në qendër të politikave të saj zhvillimore.

"Ballkani, veçanërisht Shqipëria, gjithashtu kanë potencial të konsiderueshëm në aspektin e transformimit digjital"

Kryetari i MUSIAD Albania, Muhammet Isler, u shpreh se në sektorin e shërbimeve, inteligjenca artificiale do të ndryshojë rrënjësisht turizmin shëndetësor, sistemet financiare, operacionet logjistike, modelet e arsimit dhe përvojën e klientit.

"Sot, popullsia e re e Türkiyes, fryma sipërmarrëse dhe kultura e prodhimit janë një avantazh i madh për këtë transformim. Ballkani, veçanërisht Shqipëria, gjithashtu kanë potencial të konsiderueshëm në aspektin e transformimit digjital. Ne duhet të jemi partnerë ekonomikë që rriten së bashku, transformohen së bashku dhe fitojnë së bashku, jo konkurrentë", tha Isler.

Gjatë aktivitetit u zhvilluan edhe trajnime praktike, sipas MUSIAD Albania, për t'u dhënë pjesëmarrësve njohuri konkrete, modele reale pune dhe mjete që mund të aplikohen menjëherë në bizneset e tyre.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë