Komisioni Evropian paralajmëroi të hënën se linjat ajrore dhe shtetet anëtare duhet të përgatiten për të gjithë skenarët, ndërsa mbetet e paqartë se sa do të zgjasë kriza e karburanteve për avionë.
Duke folur në konferencën për shtyp në Bruksel, zëdhënësja Anna-Kaisa Itkonen tha se ekzekutivi i BE-së po bashkërendohet ngushtë me shtetet anëtare dhe aktorët e industrisë mes shqetësimeve për furnizimin me karburant për avionë.
“Nuk besoj se dikush e di sa do të zgjasë kjo situatë, ndaj gjëja më e mirë dhe më efektive që mund të bëjmë – dhe që po bëjmë – është të përgatitemi për çdo mundësi”, tha Itkoneni.
Ajo theksoi se koordinimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me shtetet anëtare dhe aktorët e tjerë mbetet “absolutisht thelbësor”, duke shtuar se kjo është “e vetmja mënyrë” që blloku të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme.
KE-ja ka zhvilluar diskutime javore me shtetet anëtare, përfaqësuesit e industrisë, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë dhe aktorë të tjerë që nga fillimi i krizës.
Itkoneni tha se BE-ja ka një pasqyrë të plotë të situatës, duke bërë dallimin mes rezervave strategjike të naftës dhe atyre komerciale të karburantit për avionë.
“Komisioni po bashkërendohet; ne jemi të përgatitur; kemi një pasqyrë të plotë të asaj që po ndodh dhe, për më tepër, këtë javë do të publikojmë udhëzime për linjat ajrore lidhur me karburantin për avionë”, u shpreh ajo.
Zyrtarja shtoi se udhëzimet do të trajtojnë edhe çështje të tjera të lidhura me krizën.
Sipas saj, këto udhëzime do të përfshijnë rregullat “antitankering” (praktika e furnizimit të tepërt me karburant në aeroporte më të lira për të shmangur furnizimin në aeroporte më të shtrenjta), të drejtat e pasagjerëve dhe mundësinë e përdorimit të karburantit të tipit të Amerikës së Veriut në Evropë.
“Të dyja çështjet, si rregullat «antitankering» ashtu edhe importet e mundshme të karburantit të tipit amerikan ose të Amerikës së Veriut, do të përfshihen në udhëzimet që planifikojmë të prezantojmë këtë javë”, saktësoi ajo.
“Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit do të japë rekomandime teknike mbi llojet e karburantit që përdorin avionët”, vijoi Itkoneni.
Çmimet e karburantit për avionë në Evropë janë rritur ndjeshëm që nga viti i kaluar, pasi konflikti në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet e transportit përmes Ngushticës së Hormuzit kanë rritur çmimet e naftës dhe gazit natyror.
Rafineritë e BE-së zakonisht mbulojnë rreth 70 për qind të kërkesës për karburant për avionë, ndërsa pjesa tjetër importohet kryesisht nga Lindja e Mesme dhe vendet e Gjirit.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi muajin e kaluar se Evropa mund të përballet me rrezik për mungesë të karburantit për avionë në terma kohorë afatshkurtër.
Disa linja ajrore evropiane tashmë janë vënë nën presion nga rritja e kostove të karburantit. Kompania holandeze “KLM” njoftoi se do të anulojë 160 fluturime brenda Evropës këtë muaj, ndërsa “Lufthansa” ka bërë të ditur planet për të ndalur operacionet e degës së saj “CityLine” dhe për të anuluar 20.000 fluturime në distanca të shkurtra të planifikuara deri në tetor, për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit.
Kompani me kosto të ulët si “Ryanair” e “EasyJet”, si dhe grupi turistik “TUI” gjithashtu kanë ulur parashikimet e tyre për fundin e vitit, duke përmendur kushte të vështira të tregut.

















