| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha: Shqipëria krah Evropës përballë dezinformimit dhe kërcënimeve hibride
Deklarata e kryediplomatit shqiptar erdhi pas miratimit nga Parlamenti Evropian të rezolutës mbi gjetjet dhe rekomandimet e Komitetit të Posaçëm për Mburojën Evropiane të Demokracisë.
Hoxha: Shqipëria krah Evropës përballë dezinformimit dhe kërcënimeve hibride
Hoxha: Shqipëria krah Evropës përballë dezinformimit dhe kërcënimeve hibride

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka thënë se Shqipëria është e gatshme t’i bashkojë forcat me Evropën kundër dezinformimit dhe kërcënimeve hibride. 

Reagimi erdhi pasi Parlamenti Evropian miratoi rezolutën mbi gjetjet dhe rekomandimet e Komitetit të Posaçëm për Mburojën Evropiane të Demokracisë, e cila njeh se Ballkani Perëndimor është në vijën e parë të manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj të informacionit (FIMI).

Duke përshëndetur rezolutën, Hoxha tha se forcimi i qëndrueshmërisë demokratike të vendeve kandidate kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e gjithë Evropës.

“Mesazhi i Parlamentit Evropian është i qartë: forcimi i qëndrueshmërisë demokratike në vendet kandidate do të thotë forcimi i vetë Evropës”, shkruan kryediplomati.

Hoxha shtoi se “përfundimi i Parlamentit Evropian se qëndrueshmëria ndaj FIMI-t duhet të forcohet në të gjithë hapësirën evropiane, përfshirë vendet kandidate, është për këtë arsye i drejtë, në kohën e duhur dhe i mirëpritur. Qëndrueshmëria demokratike e Evropës mund të jetë vetëm aq e fortë, sa hallka e saj më e dobët”.

“Shqipëria është e gatshme të punojë sa më ngushtë të jetë e mundur me partnerët tanë evropianë dhe t'i bashkojë forcat në përpjekjen e përbashkët për ta forcuar qëndrueshmërinë demokratike të Evropës dhe për ta mbrojtur hapësirën tonë të përbashkët demokratike”, shkruan Hoxha.

BURIMI:ATA