| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Qeveria e Kosovës miraton projektbuxhetin me 4,27 miliardë euro për vitin 2027
Kurti ka thënë se në kuadër të këtij buxheti do të ndahet edhe një shumë për mbrojtjen e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria e Kosovës miraton projektbuxhetin me 4,27 miliardë euro për vitin 2027
Qeveria e Kosovës miraton projektbuxhetin me 4,27 miliardë euro për vitin 2027

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të nëntë me radhë ka miratuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2027, me vlerë prej 4,27 miliardë eurosh.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2027.

Po ashtu Kurti ka thënë se krahas kësaj rritjeje, nëpunësit publikë do të përfitojnë edhe pagën e 13-të, e cila është paraparë të realizohet në pjesën e parë të vitit 2027.

Sipas Kurtit, ky buxhet do të jetë buxhet i investimeve të mëdha kapitale.

“Ky buxhet do të jetë buxhet i investimeve madhore kapitale. Për herë të parë buxheti parasheh mbi 1 miliardë euro vetëm në kategorinë e investimet kapitale. Këtu përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja, siç janë, unaza e jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostradat, autoudha e Dukagjinit dhe shumë rrugë tjera rajonale dhe nacionale që parashihen të zgjerohen e rehabilitohen”, theksoi Kurti.

Kurti ka thënë se në kuadër të këtij buxheti do të ndahet edhe një shumë për mbrojtjen e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në këtë buxhet është paraparë edhe rritja e mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse. Sigurisht që për pjesën tjetër të angazhimit dhe mbështetjes e presim edhe strategjinë e Grupit Punues që kryesohet nga zv/kryeministri Glauk Konjufca”, theksoi Kurti.

Tutje, Kurti ka thënë se 908 milionë euro të buxhetit të vitit 2027 do të shkojnë si financim direkt për komunat e Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se edhe shtesat për fëmijë këtë vit do të rriten me 25 për qind, ndërsa çdo vit pasues përsëri do të rriten 25 për qind, derisa në vitin e katërt të qeverisjes ato do të jenë të rritura 100 për qind.

Tani projektbuxheti do t'i kalojë Kuvendit të Kosovës për diskutim dhe miratim nga një shumicë e thjeshtë e deputetëtëve apo 61 votave nga 120 gjithsej.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë