| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Türkiye dhe 11 vende të tjera dënojnë sulmet ajrore izraelite ndaj bazës ushtarake siriane
Türkiye, Algjeria, Indonezia, Jordania, Libani, Malajzia, Mauritania, Pakistani, Palestina, Katari, Arabia Saudite dhe Somalia thanë se sulmet përbëjnë “shkelje flagrante të sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit politik” të Sirisë.
Türkiye dhe 11 vende të tjera dënojnë sulmet ajrore izraelite ndaj bazës ushtarake siriane
Türkiye dhe 11 vende të tjera dënojnë sulmet ajrore izraelite ndaj bazës ushtarake siriane/ AA

Türkiye dhe 11 vende të tjera kanë dënuar fuqishëm sulmet ajrore izraelite të kësaj jave ndaj bazës ajrore ushtarake Abu al-Duhur në veriperëndim të Sirisë, duke i cilësuar sulmet si një “përshkallëzim ekstrem” dhe shkelje të sovranitetit të vendit.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Türkiyes, Algjerisë, Indonezisë, Jordanisë, Libanit, Malajzisë, Mauritanisë, Pakistanit, Palestinës, Katarit, Arabisë Saudite dhe Somalisë thanë se sulmet përbëjnë “shkelje flagrante të sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit politik” të Sirisë.

Ministrat shprehën shqetësim të thellë për sulmet e vazhdueshme dhe dëmtimin e territorit dhe infrastrukturës siriane, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë t'i minojnë përpjekjet për rivendosjen e sigurisë, rindërtimin e institucioneve kombëtare dhe trajtimin e pasojave humanitare të konfliktit shumëvjeçar.

Ata paralajmëruan gjithashtu se shkeljet e vazhdueshme izraelite të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej tensionet, ta minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe ta cenojnë respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të Kartës së OKB-së.

Ministrat i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë një “qëndrim të vendosur, të qartë dhe parimor” kundër sulmeve të vazhdueshme ndaj Sirisë dhe të ndërmarrë hapa konkretë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, për t’u dhënë fund shkeljeve.

Ata kërkuan respektimin e plotë të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 dhe tërheqjen e forcave izraelite nga zonat që kanë pushtuar, duke theksuar se hapa të tillë janë të nevojshëm për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për ta mbrojtur paqen dhe stabilitetin rajonal.

Ministrat e riafirmuan nevojën për respektimin e sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe unitetit politik të Sirisë dhe hodhën poshtë çdo përpjekje për t’i cenuar ato.