| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Disa vende të BE-së propozojnë "manualin" për ta kufizuar përdorimin e vetos në politikën e jashtme
Një nga propozimet kërkon që BE-ja të "përdorë gjithnjë e më shumë abstenime konstruktive" për të parandaluar që shtetet anëtare individuale t'i bllokojnë vendimet.
Disa vende të BE-së propozojnë "manualin" për ta kufizuar përdorimin e vetos në politikën e jashtme
Disa vende të BE-së propozojnë "manualin" për ta kufizuar përdorimin e vetos në politikën e jashtme/ AA

Njëmbëdhjetë vende të Bashkimit Evropian (BE) kanë bërë thirrje për masa për të adresuar atë që e përshkruan si përdorim të tepruar të vetos në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke propozuar një "manual" me pesë pika për ta përmirësuar vendimmarrjen brenda bllokut, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Austria, Danimarka, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia i dorëzuan një dokument jo-ligjor shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së përpara një takimi informal të Këshillit të Punëve të Jashtme të mërkurën.

Dokumenti, i parë nga ANSA, përshkruan pesë parime që synojnë parandalimin e asaj që vendet e përshkruan si "sjellje penguese" në politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Një nga propozimet kërkon që BE-ja të "përdorë gjithnjë e më shumë abstenime konstruktive" për të parandaluar që shtetet anëtare individuale të bllokojnë vendimet.

Vendet gjithashtu iu referuan parimit të bashkëpunimit të sinqertë të sanksionuar në traktatet e BE-së, duke i nxitur shtetet anëtare të mos pengojnë vendimet duke i lidhur ato me çështje që "në thelb nuk kanë lidhje me temën".

Ata u bënë më tej thirrje vendeve që ta shmangin ngritjen e kundërshtimeve të kufizuara vetëm në aspekte specifike të një propozimi në një mënyrë që mund ta pengojë BE-në të marrë një vendim.

Dokumenti gjithashtu inkurajon shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas t'i shqyrtojë opsionet e disponueshme sipas traktateve të BE-së për ta përmirësuar vendimmarrjen në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë propozimet e mundshme nga shefi i politikës së jashtme në përputhje me traktatet.

Në rastet kur një vendim mbi politikën e jashtme ose të sigurisë i nënshtrohet votimit me shumicë të kualifikuar, dokumenti trajton të drejtën e shteteve anëtare për të kundërshtuar mbi "arsyet jetësore dhe të deklaruara të politikës kombëtare".

11 vendet thanë se arsye të tilla duhet të "përcaktohen në detaje" për të lejuar konsultime kuptimplote dhe për t'i lehtësuar përpjekjet për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjitha shtetet anëtare.

Dokumenti joligjor u shpërnda gjithashtu te ministrat e jashtëm të Bullgarisë, Kroacisë, Administratës së Qipros Greke, Çekisë, Estonisë, Greqisë, Hungarisë, Irlandës, Italisë, Letonisë, Lituanisë, Maltës, Polonisë, Portugalisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.