| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Sarajeva shënon Ditën e Kujtimit për fëmijët e vrarë, 1.601 jetë të shuara në rrethimin e qytetit
Me vendosje lulesh dhe program përkujtimor u nderuan fëmijët e vrarë në rrethimin më të gjatë në historinë moderne, me mesazhe se përgjegjësit e krimeve ende nuk janë ndëshkuar.
Sarajeva shënon Ditën e Kujtimit për fëmijët e vrarë, 1.601 jetë të shuara në rrethimin e qytetit
Sarajeva shënon Ditën e Kujtimit për fëmijët e vrarë, 1.601 jetë të shuara në rrethimin e qytetit / AA

Në Sarajevë u nderuan fëmijët e vrarë gjatë rrethimit të qytetit, me një program përkujtimor dhe vendosje lulesh, si dhe me mesazhe të zyrtarëve se duhet të vazhdojë kërkimi për përgjegjësit dhe të ruhet kujtimi për viktimat më të reja të luftës.

Në Sarajevë u shënua 5 maji, Dita e Kujtimit për fëmijët e vrarë të Sarajevës së rrethuar 1992-1995, me vendosje lulesh në Memorialin e fëmijëve të vrarë të kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe me program përkujtimor.

Sipas të dhënave të Shoqatës së prindërve të fëmijëve të vrarë, gjatë rrethimit të Sarajevës, i cili konsiderohet rrethimi më i gjatë në historinë moderne të luftës, janë vrarë 1.601 fëmijë.

Kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Nihad Uk, tha se këto janë jetë që mund të kishin formësuar shoqërinë e sotme. “Këta janë fëmijë që pas 30 vjetësh nga lufta sot do të ishin baballarë, nëna. Do ta kishin ngritur ekonominë e Bosnjë e Hercegovinës dhe do të ishin shtylla e rritjes së kryeqytetit. Jetët e tyre i ka shuar agresori nga kodrat”, tha ai.

Kryetari i Bashkisë së Sarajevës, Samir Avdiq, theksoi se institucionet kanë detyrim të vazhdojnë punën për ndjekjen penale të përgjegjësve. “Sot është ditë zie në Kantonin e Sarajevës. Çdo vit kemi obligim të kujtojmë 1.601 fëmijët e pafajshëm të vrarë në Sarajevë. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se do të bëjmë absolutisht gjithçka për të gjetur përgjegjësit për fëmijët tanë të pafajshëm. Duhet të ishin mes nesh, por fatkeqësisht nuk janë”, tha Avdiq.

Qeveria e Kantonit të Sarajevës në vitin 2023 e shpalli 5 majin - Ditën e Kujtimit për fëmijët e vrarë të Sarajevës - Ditë zie në Kantonin e Sarajevës, me qëllim ruajtjen e përhershme të kujtimit për 1.601 fëmijët e vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës në periudhën 1992-1995.

Në ditën e sotme, flamujt u ulën në gjysmështizë në ndërtesat e institucioneve të Kantonit të Sarajevës si dhe në objektet e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike.

Rrethimi i Sarajevës filloi më 5 prill 1992 dhe përfundoi më 29 shkurt 1996. Ai zgjati 1.425 ditë. Gjatë kësaj kohe, rreth 350 mijë banorë ishin të ekspozuar ndaj zjarrit të përditshëm nga pjesëtarë të ish-JNA-së dhe formacioneve paraushtarake, e më vonë nga pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska, nga pothuajse të gjitha llojet e armatimit, nga pozicione të vendosura në kodrat përreth.

Nuk arritën të zbresin dhe të pushtojnë qytetin vetëm falë vullnetit të madh, dëshirës dhe përpjekjeve të mbrojtësve, kryesisht qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes për mbrojtje, të cilët fillimisht pothuajse të paarmatosur, me atlete dhe xhinse, me armatim minimal, qëndruan në mbrojtje të qytetit.

Sipas vendimeve gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare dhe vendore, të paktën 53 fëmijë në Sarajevë janë vrarë me snajper ndërsa më shumë se 14 mijë janë plagosur.

Shumica janë vrarë gjatë lojës së tyre të pafajshme, gjë që tregon mjaftueshëm se cilat kanë qenë qëllimet e agresorit. Për krimet ndaj fëmijëve të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës, deri tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë