Kryeministrja italiane Giorgia Meloni paralajmëroi sot për pasiguri mbi angazhimin e ardhshëm të ShBa-së në NATO, duke i kërkuar Evropës të forcojë kapacitetin e saj të sigurisë ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian të parashikojë më mirë krizat.
Duke folur në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë, Meloni tha se diskutimet në ShBa rreth një shkëputjeje të mundshme nga Evropa nënvizojnë nevojën që BE-ja të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj.
"Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë", u tha Meloni gazetarëve në samit duke shtuar: "Ne e dimë që për njëfarë kohe ShBa-ja ka paralajmëruar tërheqje nga Evropa, prandaj mendoj se duhet të forcojmë sigurinë tonë dhe të rrisim kapacitetin tonë për t'u përgjigjur nga kjo pikëpamje".
Kryeministrja italiane shtoi se nuk do të mbështesë një tërheqje të ShBa-së nga Italia ose vendet e tjera evropiane. "Është e qartë se është një zgjedhje që nuk varet nga unë dhe me të cilën unë personalisht nuk do të pajtohesha", tha ajo.
Meloni nënvizoi rekordin e Italisë brenda aleancës, duke thënë se Roma ka përmbushur vazhdimisht angazhimet e saj, përfshirë edhe në misionet ku interesat e saj të drejtpërdrejta kombëtare nuk ishin në rrezik.
"Italia gjithmonë i ka mbajtur angazhimet e saj, përfshirë brenda NATO-s, edhe kur interesat tona të drejtpërdrejta nuk ishin të përfshira, siç bëmë në Afganistan dhe Irak", deklaroi ajo.
Në një kuptim më të gjerë, Meloni i bëri thirrje BE-së të “ngrejë nivelin” e reagimit të saj ndaj sfidave globale në rritje, duke argumentuar se blloku duhet të shkojë përtej reagimit ndaj emergjencave.
“Bashkimi Evropian ka treguar se mund t’u përgjigjet emergjencave, por tani është koha që të ngrejë nivelin e tij dhe të kalojë nga reagimi në aftësinë për t’i parashikuar ato”, theksoi Meloni.
Ajo paralajmëroi se dështimi për të menaxhuar krizat rrezikon të gërryejë besimin e publikut në institucionet demokratike. “Kur qytetarët perceptojnë se sfidat e mëdha nuk qeverisen, ata humbasin besimin në institucione”, tha ajo.
Meloni kritikoi aspekte të strategjisë afatgjatë të BE-së, duke thënë se ajo “nuk duhet të përqendrohet vetëm në vendet që mendojnë njësoj, por edhe në fqinjësinë tonë gjeografike”, duke bërë thirrje për vëmendje më të madhe ndaj Mesdheut më të gjerë, përfshirë Afrikën.
Ajo i lidhi sfidat e sigurisë së Evropës me paqëndrueshmërinë në rajonet fqinje dhe shqetësimet për furnizimin me energji, duke vënë në dukje se shumë presione gjeopolitike burojnë nga zona kritike për nevojat e energjisë të Evropës.
Meloni do të udhëtojë për në Baku të Azerbajxhanit, më vonë të hënën, për të diskutuar mbi furnizimet alternative me gaz dhe naftë si pjesë e asaj që ajo e përshkroi si një “diplomaci e energjisë”.




















