| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për sulmet ajrore gjatë natës që vranë katër persona
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka goditur një depo karburanti dhe lubrifikantësh në Odesa, e cila pretendon se furnizonte me karburant Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për sulmet ajrore gjatë natës që vranë katër persona
Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për sulmet ajrore gjatë natës që vranë katër persona

Rusia dhe Ukraina ripërsëritën sot akuzat kundër njëra-tjetrës lidhur me sulmet ajrore gjatë natës, për të cilat autoritetet lokale në të dy vendet thanë se kanë vrarë të paktën katër persona.

Kryebashkiaku i qytetit port rus Novorossiysk, Andrey Kravchenko tha se një person u vra pas një sulmi me dron ukrainas gjatë natës që dëmtoi infrastrukturën civile. "Shumica e zjarreve të shkaktuara nga rënia e mbeturinave janë shuar. Shërbimet e urgjencës dhe ato operacionale vazhdojnë të punojnë në terren", tha Kravchenko në platformën ruse të mediave sociale Max.

Guvernatori i Krasnodarit, Veniamin Kondratyev shkroi veçmas se tetë të tjerë u plagosën për shkak të goditjeve në rajonin ku ndodhet Novorossiysk, duke shkaktuar dëme në vendbanime të tjera rajonale si Volna, Anapa dhe Gelendzhik.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 502 dronë ukrainas mbi shtatë rajone, përfshirë Krasnodarin si dhe mbi Detin e Zi dhe Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.

Ndërkohë, autoritetet lokale në qytetin port jugor të Ukrainës, Odesa, thanë se një ndërtesë banimi u dëmtua për shkak të sulmeve ruse gjatë natës.

"Fatmirësisht, nuk pati viktima gjatë sulmit të natës. Një ndërtesë banimi u shkatërrua. Shërbimet komunale pastruan shpejt zonën dhe mbyllën të gjitha hapjet e dritareve", tha në Telegram Serhiy Lysak, kreu i Administratës Ushtarake të qytetit të Odesa.

Guvernatori i Zaporizhzhias, Ivan Fedorov tha se një person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën për shkak të sulmeve në rajonin juglindor gjatë ditës së kaluar, duke thënë se një sulm gjatë natës goditi një qendër tregtare në një nga zonat e banuara të Zaporizhzhia, duke shkaktuar një zjarr.

Ndërkohë, guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha se dy persona u vranë pas sulmeve ruse në rrethin Tsentralnyi të qendrës administrative të rajonit jugor.

Forcat Ajrore të Ukrainës pretendojnë se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 112 nga 138 dronë të lëshuar nga Rusia. Ndërsa pohuan se janë lëshuar një raketë balistike "Iskander-M", një raketë kundër rrezatimit "Kh-31P" dhe një numër i paspecifikuar i raketave lundrimi të drejtuara "Kh-35".

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka goditur një depo karburanti dhe lubrifikantësh në Odesa, e cila pretendon se furnizonte me karburant Forcat e Armatosura të Ukrainës.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë