Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtore, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim për veprën penale për spiunazh, Jelena Gjukanoviqin.
Vendimin e bëri të ditur gjyqtari, Rrahman Beqiri i cili tha se Gjukanoviq shpallet fajtore.
“Sot në praninë e prokurorit special, të akuzuarës dhe avokatëve mbrojtës në seancë të hapur dhe publike në emër të popullit shpall këtë aktgjykim: Jelena Gjukanoviq shpallet fajtor për shkak veprës penale spiunazhi, andaj gjykata bazuar në dispozitat e kodit penal dhe të kodit të procedurës penale e gjykon dënim me burgim kohëzgjatje prej gjashtë vjetëve, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë të këtij aktgjykimi”, tha Beqiri.
Siç tha ai, në dënim i llogaritet edhe masa e paraburgimit nga 28 shkurti i vitit 2025, duke iu vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Gjithashtu, mbrojtja e të akuzuarës mund të ankohet brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim prej 25 vjetësh (dënim maksimal).
Sipas prokurorisë, rasti lidhet me veprimtari që rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë shtetërore.
Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarës ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat gjatë gjithë procesit gjyqësor, duke kërkuar lirimin e saj dhe duke mos pranuar pretendimet e prokurorisë.
Në seancën fillestare në shtator të vitit 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, zyrtarja e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jelena Gjukanoviq është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për spiunazh.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Jelena Gjukanoviqit.
Aktakuza thotë se Gjukanoviq i ka përcjell tani të dënuarit për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, te përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-s në Beograd.





















