| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Costa: BE-ja duhet të investojë më shumë në mbrojtje dhe siguri
“Po hyjmë në një moment vendimtar të negociatave për buxhetin e ardhshëm evropian për periudhën 2028–2034”, deklaroi Antonio Costa.
Costa: BE-ja duhet të investojë më shumë në mbrojtje dhe siguri
Costa: BE-ja duhet të investojë më shumë në mbrojtje dhe siguri

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi të enjten se Bashkimi Evropian duhet t’i shtojë investimet në mbrojtje, siguri dhe qëndrueshmëri strategjike, përballë sfidave globale në rritje.

“Po hyjmë në një moment vendimtar të negociatave për buxhetin e ardhshëm evropian për periudhën 2028–2034. Mjedisi gjeopolitik ka ndryshuar që kur miratuam buxhetin aktual në vitin 2020”, tha Costa pas takimit me kryeministrin çek, Andrej Babiš, në Pragë.

“Tani, më shumë se kurrë, duhet të investojmë në mbrojtje dhe siguri, konkurrueshmëri dhe inovacion, si dhe në qëndrueshmëri strategjike”.

Costa theksoi se kjo nënkupton veprime konkrete në përputhje me ambiciet e BE-së. Ai foli për modernizimin e buxhetit të ardhshëm, në mënyrë që Unioni t’i përmbushë përparësitë e reja, duke i ruajtur njëkohësisht shtyllat kryesore të mbështetjes për shtetet anëtare, politikën e kohezionit dhe atë bujqësore.

“Është thelbësore të arrijmë një marrëveshje deri në fund të këtij viti”, tha presidenti i Këshillit Evropian, duke theksuar se nuk duhet lejuar asnjë ndërprerje e financimeve evropiane për projektet dhe politikat jetike në vitin 2028.

Costa nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përshpejtimit të përpjekjeve për uljen e kostove të energjisë, ndërsa vijon tranzicioni i gjelbër dhe dekarbonizimi në një mënyrë neutrale ndaj teknologjisë, qoftë përmes energjisë bërthamore, qoftë përmes burimeve të rinovueshme.

Ai shtoi se mbështetja për Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre evropiane përbën gjithashtu “një investim në sigurinë dhe mirëqenien e Evropës”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë