| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Projekti i Rrugës së Zhvillimit do t'i kontribuojë ekonomisë së Türkiyes me 55 miliardë dollarë
"Projekti pritet të krijojë mesatarisht 70 mijë vende pune në vit, ndërsa do të ofrojë një rrugë alternative tregtare mes vendeve të Gjirit dhe Evropës", thotë ministri i Transportit, Uraloglu.
Projekti i Rrugës së Zhvillimit do t'i kontribuojë ekonomisë së Türkiyes me 55 miliardë dollarë
Projekti i Rrugës së Zhvillimit do t'i kontribuojë ekonomisë së Türkiyes me 55 miliardë dollarë./ AA

Projekti i Rrugës së Zhvillimit pritet t'i kontribuojë ekonomisë së Türkiyes me rreth 55 miliardë dollarë brenda 10 vjetësh, tha ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloglu.

Duke folur në një konferencë në Ankara, Uraloglu tha se projekti do të krijojë mundësi punësimi për mesatarisht 70 mijë persona në vit, duke forcuar pozicionin e Türkiyes në tregtinë globale dhe duke mbështetur rindërtimin ekonomik të Irakut.

Korridori i planifikuar do të lidhë Portin e Madh Faw të Irakut, në Gjirin Persik, me Evropën përmes Türkiyes, duke i integruar hekurudhat dhe rrugët me linjat e transmetimit të energjisë, infrastrukturën me fibra optike dhe tubacionet e naftës dhe gazit natyror.

"Vetëm për vendin tonë, parashikojmë që projekti t'i kontribuojë ekonomisë sonë me rreth 55 miliardë dollarë gjatë një periudhe 10-vjeçare dhe, përmes krijimit të qendrave të prodhimit dhe logjistikës, të sigurojë mundësi punësimi për mesatarisht 70 mijë qytetarë çdo vit", tha ai.

Uraloglu tha se tensionet në Ngushticën e Hormuzit dhe lufta Rusi-Ukrainë kanë nxjerrë në pah dobësitë e rrjeteve globale të transportit, duke i nxitur vendet të kërkojnë rrugë më të sigurta, më të shkurtra dhe më të parashikueshme.

Ai tha se Rruga e Zhvillimit do të ofrojë alternativë strategjike që ul varësinë nga Ngushtica e Hormuzit, veçanërisht për transportin e mallrave nga vendet e Gjirit drejt Evropës. Uraloglu shtoi se kjo rrugë mund ta shkurtojë kohën e udhëtimit në rreth 25 ditë, krahasuar me 45 ditë përmes Kepit të Shpresës së Mirë dhe 35 ditë përgjatë Korridorit Jugor.

- Rrugë tregtare plotësuese

Uraloglu tha se Türkiye e konsideron Rrugën e Zhvillimit plotësuese të rrjeteve ekzistuese tregtare, përfshirë Korridorin e Mesëm, i cili lidh Kinën dhe Azinë Qendrore me Evropën përmes Detit Kaspik dhe Türkiyes.

"Si Turqi, e vendosur në zemër të Korridorit të Mesëm, që menaxhon Ngushticat Turke dhe po ndërton Rrugën e Zhvillimit, ne po dëshmojmë qartë, si në tryezën e negociatave, ashtu edhe në terren: nuk mund të ketë korridor pa Türkiyen", tha ai.

Linjat hekurudhore ekzistuese, në ndërtim dhe të planifikuara të Türkiyes që lidhen me Korridorin e Mesëm kanë një gjatësi totale prej 2.156 kilometrash ndërsa investimet e përfunduara dhe të planifikuara arrijnë në 47,1 miliardë dollarë, tha ai.

Ministri tha se Projekti i Rrugës së Zhvillimit mund ta ndihmojë Irakun ta diversifikojë ekonominë e tij përtej të ardhurave nga nafta, të gjenerojë të ardhura nga tregtia tranzit dhe të forcojë rolin e tij si një qendër tregtare rajonale.

Ai rikujtoi marrëveshjet e nënshkruara nga Türkiye dhe Iraku më 28 korrik të këtij viti, duke thënë se të dyja vendet planifikojnë të sigurojnë miratimin parlamentar përpara fillimit të ndërtimit. Këto përfshijnë një memorandum për transportin hekurudhor dhe rrugor përmes pikëkalimit kufitar Fishkhabur-Ovakoy dhe një marrëveshje kuadër për zhvillimin e infrastrukturës së transportit në Irak në këmbim të burimeve natyrore.

Uraloglu iu referua një memorandumi bashkëpunimi hekurudhor të nënshkruar së fundmi me Arabinë Saudite, duke thënë se përpjekjet për të ringjallur Hekurudhën historike të Hixhazit do të krijojnë lidhje shtesë nga Gjiri, përmes Türkiyes, drejt Evropës.

"Projekti i Rrugës së Zhvillimit ka potencialin të riintegrojë strukturën e fragmentuar gjeoekonomike të Lindjes së Mesme, ta shndërrojë Irakun në një nga kryqëzimet e tregtisë rajonale dhe të forcojë pozicionin e Türkiyes në rrjetet globale të ndërlidhjes", tha ai.