Pakistani dhe Siria diskutuan forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë gjatë një takimi të premten mes ministrit të Jashtëm sirian, Asaad Al-Shaibani, dhe shefit të ushtrisë pakistaneze, feldmareshalit Asim Munir.
Al-Shaibani, i shoqëruar nga një delegacion sirian, u takua me Munirin, i cili shërben gjithashtu si shef i forcave të mbrojtjes së Pakistanit, në Shtabin e Përgjithshëm në Rawalpindi, sipas një njoftimi për media të Shërbimit të Marrëdhënieve me Publikun të Forcave të Armatosura të Pakistanit (ISPR).
Sipas deklaratës, të dyja palët diskutuan çështje me interes të ndërsjellë, situatën e sigurisë rajonale dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në mbrojtje dhe siguri.
Munir vuri në pah ato që i cilësoi si lidhje të kahershme vëllazërore të Pakistanit me Sirinë dhe paraqiti qëndrimin e Islamabadit për paqen globale dhe stabilitetin rajonal.
Sipas ISPR-së, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përpjekjeve të përbashkëta për trajtimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Al-Shaibani vlerësoi rolin e forcave të armatosura të Pakistanit në promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Të dyja palët riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë, thuhet më tej në deklaratë.


















