Presidenti Recep Tayyip Erdoğan deklaroi të mërkurën se Türkiye ka intensifikuar përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara dhe paralajmëroi kundër veprimeve që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal.
“Ne kemi intensifikuar përgatitjet tona për të siguruar që Samiti i Ankarasë të bëhet një pikë referimi në historinë e NATO-s”, tha Erdoğani gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).
Sipas tij, njoftimi se Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të marrë pjesë personalisht në Samitin e NATO-s, i planifikuar për 7-8 korrik, është “një hap i vlefshëm në aspektin e kohezionit të Aleancës”.
“Siguria e Türkiyes nuk fillon në Hatay, por në Halep, Damask dhe Bejrut, pasi ne nuk do të tolerojmë fakte të kryera në vendet e vëllezërve tanë dhe nuk do të mbyllim sytë ndaj agresionit”, theksoi kreu i shtetit turk, duke shtuar se siguria e vendit shtrihet përtej kufijve të saj.
Erdoğani iu referua gjithashtu asaj që e përshkroi si “iluzioni i Tokës së Premtuar”, duke thënë se Türkiye është plotësisht e vetëdijshme për objektivin e saj përfundimtar.
“Me vullnetin e Zotit, ne kurrë nuk do ta lejojmë këtë. Askush nuk duhet të kërkojë aventura. Askush nuk duhet të ndjekë gjurmët e rrjetit të masakrave sioniste”, tha ai.
Presidenti turk paralajmëroi për pasoja më të gjera nëse veprimet e Izraelit nuk frenohen.
“Nëse banditizmi i Izraelit nuk ndalet, e gjithë bota, së bashku me rajonin, do të vuajë pasojat. Izraeli duhet të ndalet. Kjo është detyra e njerëzimit. Përsëritja e historisë nuk duhet të lejohet”, shtoi ai.
Erdoğani paralajmëroi gjithashtu kundër çdo sfide ndaj interesave të Türkiyes në Mesdheun Lindor duke thënë: “Nëse të drejtat e Türkiyes dhe të drejtat e qipriotëve turq në Mesdheun Lindor janë në shënjestër, përgjigjja jonë do të jetë shumë e qartë dhe e prerë.”




















