Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është takuar me homologen bullgare, Velislava Petrova, ndërkohë ka theksuar se kanë riafirmuar "partneritetin e fortë" midis dy vendeve, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka konfirmuar se ka realizuar një takim me ministren e Jashtme të Bullgarisë, sipas tij "duke riafirmuar partneritetin e fortë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë".
"Diskutimet tona nxorën në pah rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha kyçe si energjia, infrastruktura dhe lidhshmëria strategjike. Në këtë kontekst, nënvizuam rëndësinë e KorridoritVIII si një lidhje jetësore midis rajoneve të Adriatikut dhe Detit të Zi, me potencial të konsiderueshëm për të rritur tregtinë, lëvizshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë Evropën Juglindore", është shprehur Hoxha.
Kryediplomati Hoxha ka theksuar se gjithashtu shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, sipas tij, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për paqen, sigurinë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Hoxha ka shtuar se Shqipëria vlerëson shumë mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për procesin e pranimit në BE dhe avokimin e saj të vazhdueshëm për një politikë të besueshme zgjerimi.
"Ne theksuam më tej rolin e rëndësishëm të pakicave kombëtare në vendet tona përkatëse si ura miqësie dhe bashkëpunimi", ka theksuar kryediplomati i Shqipërisë.
Ministri Hoxha po qëndron për vizitë në Bullgari në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).




















