Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski ka deklaruar se projekti për hekurudhën e shpejtë nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë ka nisur vjeshtën e kaluar dhe aktualisht po zhvillohet faza e planifikimit, studimeve gjeoteknike dhe atyre të ndikimit në mjedis.
Sipas mediave lokale, Nikolloski theksoi se afati i vitit 2031 mbetet i pandryshuar dhe se deri atëherë vendi do të ketë hekurudhë të shpejtë me dy binarë nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë.
"Nëse nuk bëni një plan të mirë, do t’ju ndodhë rasti Kërçovë-Ohër. Prandaj po e bëjmë këtë plan. Afati është rreth një vit, ndërsa më pas, kur të dalin ekskavatorët e parë në terren, ajo që është e dukshme për qytetarët, projekti realisht duhet të përfundojë për pesë vjet", tha Nikolloski.
Sipas tij, projekti pritet të kushtojë rreth 2 miliardë euro, me një kosto prej nën 10 milionë euro për kilometër, ndërsa traseja e re do të jetë më e shkurtër se ajo ekzistuese. "Rruga aktuale nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë është 235 kilometra, por traseja e re do të jetë nën 200 kilometra", shtoi ai.
Nikolloski po ashtu tha se janë shqyrtuar disa variante të trasesë dhe është zgjedhur më e mira ndërsa po bashkëpunohet edhe me vendet fqinje për lidhjen e rrjetit hekurudhor.
Më tej, ai përmendi se në anën greke tashmë ekziston hekurudhë e shpejtë nga Athina në Selanik, ndërsa po punohet për lidhjen nga Selaniku në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Në Serbi, sipas tij, është në funksion linja Beograd-Budapest si hekurudhë e shpejtë, ndërsa po punohet për segmentin Beograd-Nish dhe për sigurimin e fondeve për pjesën Nish-Shkup.
Nikolloski theksoi se paralelisht po zhvillohen edhe projektet për trenin urban në Shkup dhe për "bypass"-in hekurudhor të qytetit, i cili do të ndihmojë në zhvendosjen e transportit të mallrave jashtë qendrës urbane.



















