Forcat e Armatosura të Lituanisë kanë bërë të ditur se më shumë se 6.000 trupa të NATO-s pritet të marrin pjesë në dy stërvitje ushtarake të udhëhequra nga Gjermania në Lituani, nga 6 nëntori deri më 3 dhjetor.
Në stërvitjet “Freedom Shield 26-II” dhe “Grand Eagle 26” do të marrin pjesë formacione ushtarake gjermane, përfshirë Brigadën e 45-të të Blinduar “Lietuva” dhe Brigadën e 37-të të Këmbësorisë së Mekanizuar “Freistaat Sachsen”, të dyja në kuadër të Divizionit të 10-të të Blinduar të Ushtrisë Gjermane.
Pjesë e stërvitjeve do të jenë edhe personeli i Brigadës Shumëkombëshe Luftarake të NATO-s në Lituani, përfshirë trupa nga Gjermania, Holanda, Norvegjia, Republika Çeke, Kroacia, Belgjika dhe Luksemburgu, krahas forcave lituaneze.
Stërvitjet do të zhvillohen në poligonet ushtarake Rudninkai dhe Gjeneral Silvestras Zukauskas.
Sipas Forcave të Armatosura të Lituanisë, stërvitjet synojnë forcimin e gatishmërisë luftarake, përmirësimin e planifikimit operacional dhe të komandimit, si dhe rritjen e koordinimit ndërmjet forcave aleate.
Stërvitjet do ta përfshijnë gjithashtu lëvizjen e personelit dhe pajisjeve ushtarake në gjithë territorin e Lituanisë.



















