Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi të enjten se shtetasi amerikan Min Zin është “ndaluar padrejtësisht” në Kinë, duke shtuar thirrjet drejtuar Pekinit për lirimin e akademikut.
“Sekretari Rubio ka përcaktuar se shtetasi amerikan Min Zin është ‘ndaluar padrejtësisht’ në Kinë”, tha ndihmëssekretari Dylan Johnson në një deklaratë.
Johnson tha se përcaktimi erdhi pas një shqyrtimi të detajuar të ndalimit të Min më 3 qershor në Yunnan, një provincë në jugperëndim të Kinës, ku ai kishte udhëtuar me ftesë të qeverisë kineze për të marrë pjesë në një konferencë akademike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, kishte thënë më herët se Min “dyshohet për spiunazh dhe rrezikim të sigurisë kombëtare të Kinës”. Min, student i diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe themelues i një grupi kërkimor me bazë në Mianmar, u zhduk në Kunming, kryeqytetin e provincës Yunnan, e cila kufizohet me Mianmarin.
Arrestimi i tij shënon rastin e dytë në Kinë për të cilin SHBA-ja ka bërë përcaktimin “i ndaluar padrejtësisht”, pas rastit të Youlin Chen.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për z. Zin dhe të bëjmë thirrje për lirimin e të gjithë shtetasve amerikanë që ndalohen në mënyrë arbitrare ose të cilëve u ndalohet largimi nga Kina”, tha Johnson.
Shtetasi amerikan Kai Li u shpall fajtor për spiunazh në Kinë në vitin 2016, por ishte mes tre amerikanëve të liruar nga Pekini në vitin 2024 në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve me Washingtonin, sipas një raportimi të The New York Times.
Një tjetër shtetase amerikane e dënuar për spiunazh, Sandy Phan-Gillis, u dëbua nga vendi në vitin 2017 pasi ishte mbajtur në paraburgim për më shumë se dy vjet, shtoi lajmi.
The New York Times raportoi se rreth 200 shtetas amerikanë ndodhen në një formë ndalimi ose përballen me ndalim të largimit nga Kina, përfshirë persona të burgosur për akuza të lidhura me drogën dhe të tjerë të përfshirë në mosmarrëveshje tregtare ose financiare.




















